Politike

Opozita e re kërkon kredi të butë: Po jetojmë si arixhinjtë në çadra

Deputetët e opozitës së re parlamentare kërkojnë kredi të butë për banesat e tyre, pasi po jetojnë në kushtet skandaloze. Kërkesa është bërë në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura në konferencën e kryetarëve nga deputeti Myslym Murrizi.
Në procesverbalin e siguruar nga Gazeta Si, Murrizi e ka argumentuar me faktin se deputetët që zëvendësuan karriget e lënë bosh nga LSI-ja dhe PD-ja po jetojnë në kushte të vështira. “Zoti Kryetar, dua të flas jashtë rendit të ditës, nuk e di nëse është në tagrin e Konferencës së Kryetarëve, a të bëjmë ndonjë vendim, a të biem dakord të gjithë parimisht, për 15 apo 20 deputetët e rinj, të cilët kanë nevojë të mbështeten. Më duket se deri në vitin 2009 ka qenë ligji që deputetët dhe funksionarët e lartë publik përfitonin një kredi me interes të ulët. A ekziston mundësia që të bëhet një vendim Kuvendi apo qeverie, nëse keni ndrojtje nga populizmi thoni që e ka propozuar Myslim Murrizi, që këta deputetë të marrin kredi? Ata nuk janë aksionerë as në PPP-të dhe as në tendera, por e kanë të nevojshme të mbështeten me një kredi, siç kam marrë unë, por edhe ju në vitin 1997, 1992 dhe në vitet e tjera me radhë”, ka deklaruar Murrizi në mbledhje.

Deputeti Myslym Murrizi


Nënkryetari i Kuvendit ka theksuar se nuk është hipokrizi për të ndihmuar deputetët dhe ndaj duhet të merret një vendim. “Pra, bëhet fjalë për 1 miliard lekë të vjetër, që janë më pak se 1 milion euro. T’ia heqim Unazës 100 metra dhe t’ua japim këtyre deputetëve që të kenë edhe ata një farë dinjiteti, sepse po bëhen si arixhinjtë me çadra. Unë besoj se gjithsecili deputet që është futur tani ka një farë rëndësie për mbarëvajtjen e këtij vendi, edhe për ekzistencën në këmbë të këtij parlamenti, ishalla po na hapen negociatat. Pra, nuk na kushton asgjë t’i mbështesim për të blerë një shtëpi”, ka theksuar Murrizi.

Faksimile e procesverbalit të mbledhjes së konferencës së kryetarëve


Kërkesa është mbështetur nga opozitari Enver Roshi, por ka hasur në kundërshtimin e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, i cili ka bërë të ditur se edhe deputetë të tjerë kanë shprehur shqetësim për strehimin. “Ka qenë dikur, është hequr. Të jemi realist, është e vështirë që ne të bëjmë një ligj tani, por mund të shikohet problemi dhe do të kërkoja mirëkuptimin tuaj, që nëpërmjet Bashkisë së Tiranës, që ka fondin e kredive të buta, të interesohemi të përcillet shqetësimi që kemi ne. Por të bëjmë ne tani një ligj, se janë 5, 10 apo 20 deputetë, për më tepër për specifikën që kemi, që në mes të mandatit një pjesë e deputetëve kanë djegur mandatet, një pjesë e deputetëve kanë ardhur, që janë për një periudhë 1-vjeçare, e të tjera, nuk besoj se do të dalim gjëkundi si Kuvend, me mbështetje në këtë drejtim”, ka deklaruar Ruçi në këtë mbledhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë