Politikani i Të Gjelbërve, Manuel Sarrazin është shprehur se se partia e tij do të japë miratimin për çeljen e negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me BE-në. Gjithashtu ai ka kritikuar zvarritjen taktike, sipas tij të grupit parlamentar.
“Ne, Të Gjelbrit, do ta miratojmë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ky vendim vjen i vonuar dhe u vonua vetëm për shkak të taktikës së zvarritjes të disa pjesëve të grupit parlamentar CDU / CSU. Të dy vendet i kanë përmbushur mjaftueshëm kushtet. BE-ja tani duhet të tregojë se është një partner i besueshëm dhe të hapë bisedimet e anëtarësimit në BE”, është shprehur eksperti i Europës Juglindore të Të Gjelbërve, Manuel Sarrazin në një deklaratë për Deutsche Welle-n.
Sipas tij, kushtet shtesë të formuluara nga koalicioni për Shqipërinë e tejkalojnë objektivin.
“Është e papranueshme që Shqipëria çdo vit të duhet të përmbushë kushte të reja për negociatat e anëtarësimit në BE. Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por edhe e padenjë për një bashkëekzistencë evropiane,” – shtoi Sarrazin deklaratën për DW.
Të Gjelbrit janë partia e tretë që ka deklaruar tashmë hapur se do ta miratojnë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas miratimit të një dite më parë të kërkesës së qeverisë gjermane nga grupet parlamentare CDU/CSU dhe SPD: Po pritet edhe nga liberalët, E majta deri dje ishte ende në mëdyshje. Vetëm AFD, Alternativa për Gjermaninë është e mendimit se as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut nuk janë gati për të çelur negociatat me BE-në.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




