Partia Demokratike shprehet se me tenderin për rrugën Kardhiq-Delvinë ka pasur një sërë shkeljesh dhe përplasjes mes ministres së Energjetikës, Belinda Balluku dhe drejtoreshës së ARRSH-së, Sonila Qato, duke e detyruar këtë të fundit të largohet. Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku në një deklaratë për median theksoi qeveria edhe me këtë tender ka vepruar njësoj si me tenderin e Unazës së Re duke vepruar në kundër me ligjin dhe me kompaninë të fshehura. Tabaku theksoi se për këtë rrugë ka pasur një betejë mes Gjoka Kontruksion dhe Vellëzërit Hysa.
“Largimi i Sonila e Qatos është tregues i qartë se banda kriminale e Edi Ramës ka filuar luftën e brendshme për të ndarë plaçkën e grabitur nga populli. Pjesa e Edi Ramës në çdo kontratë e në çdo tender është e sigurit, lufta bëhet se kush nga vartësit e tij merr pjesën tjetër të korrupsionit. Lufta gati dymujore për rrugën Kardhiq-Delvinë vuri përballë ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe drejtoreshën e Rrugëve mes të cilave u prish pazari për kompani që do të fitonte miliona euro për 1 km tunel. Të dyja kompanitë janë kliente të preferuara të Edi Rmës, Gjoka Konstuksion të koncesionit kriminal të rrugës së Arbit dhe Vëllezërit Hysaj, e njohur si kompania fasadë te tenderi i Unazës së re në Tiranë”, deklaroi Tabaku.
Duke mos u ndalur vetëm te qëndrimet politike, PD solli disa dokumente që sipas vërtetojnë shkeljen e madhe në garën për tenderin e rrugës, ku të dyja këto kompani ishin në shkelje. Sipas Tabakut, emri i kompanisë “Vëllezërit Hysa” nuk shfaqet askund në tender, por, njësoj si me skemën e DH Albanias tek Unaza e Re, ajo ka përdorur 2 kompani të tjera të lidhura me të. Megjithëse kjo është një skemë mashtrimi, për opozitën e ndaluar me ligj, ish-drejtoresha Sonila Qato e shpalli fitues konsorciumin e kompanive Vëllezërit Hysa, oferta e të cilëve ishte 4 milionë euro më e lartë se konkurrentja tjetër.
“Rreth 1 muaj më parë, Vëllezërit Hysa janë shpallur fitues nga Sonila Qato edhe në një tender tjetër paralel. Bëhet fjalë për tenderin tjetër korruptiv të Unazës së Re. Në mënyrë që të fitonin dy tenderat njëkohësisht, 40 milion euro, me bashkëpunimin kriminal të Sonila Qatos, kompania “Vëllezërit Hysa” përdorën kompani të tjera, duke fshehur identitetin ne tenderin e Kardhiq - Delvinës. Kompanitë që ka përdorur për mashtrim janë Sulova dhe IRCOP, një degë e kompanisë italiane, e hapur pak ditë para tenderit. Dokumentet tregojnë se ato kanë të njëjtën adresë, të njëjtët numra telefoni me kompaninë Vëllezërit Hysa. Ato drejtohen nga të njëjtët njerëz, që punojnë për Vëllezërit Hysa. Kjo është e njëjta skemë mashtrimi si tek Unaza e Re me DH ALBANIA”, deklaroi Tabaku.
Ish-deputetja theksoi se dokumentet që disponon PD tregon se ARRSH-ja ka punuar, në kundërshtim me ligjin, për të ndihmuar firmën e saj të preferuar, që nga modifikimi i kritereve gjatë garës, deri tek shtyrja e hapjes së ofertave, në mënyrë që dega e kompanisë italiane, e cila punonte për “Vëllezërit Hysa”, të pajisej me një licencë teknike, pa të cilën konsorciumi fasadë, s’kualifikohej dhe për opozitën ky është një rast i rëndë korrupsioni, ku përfshihet direkt drejtuesja e Autoritetit të Rrugëve, Sonila Qato.
Denoncimi i PD-së për firmën Gjoka
Sa i përket firmës tjetër, Gjoka Konstruksion, PD thekson se megjithëse kishte ofertë 4 milionë euro më të ulët, u skualifikua nga gara prej Qatos, por u rifut në garë, pasi Komisioni i Prokurimit Publik e vlerësoi të padrejtë përjashtimin e kompanisë në pazar me Ministren e Infrastrukturës.
“Lufta e brendshme u bë akoma më e egër, kur Sonila Qato refuzoi t’i bindej vendimit të KPP-së dhe nisi procedurat për skualifikimin e përsëritur të Gjokës, bazuar mbi dyshimet se edhe kjo kompani kishte mashtruar dhe falsifikuar dokumentet e tenderit. Bëhet fjalë për falsifikimin me punimet në Rrugën e Arbrit, të cilat kompania “Gjoka Konstruksion” i ka paraqitur në tenderin e Kardhiq-Delvinë si kriter përmbushës për kualifikim. Për këto punime, Gjoka është paguar 23 milionë euro nga Ministria e Infrastrukturës, por një grup inspektimi i Sonila Qatos 10 ditë para anulimit të tenderit, raportoi se Gjoka ka falsifikuar të dhënat dhe nuk i ka kryer këto punime në masën 20% për t’u kualifikuar në tenderin e Kardhiq- Delvinës”, theksoi Tabaku.
Për PD-në, falsifikimi është kryer në bashkëpuim me firmën që mbikëqyr punimet tek Rruga e Arbrit dhe me të cilën Gjoka ka hyrë si ortake në tenderin e Kardhiq-Delvinës. “Ky konflikt i hapur interesi është i ndaluar nga ligji “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”. Ky ligj ndalon çdo lidhje mes firmës që mbikëqyr dhe firmës që mbikëqyret, gjë që është shkelur hapur në rastin e kompanisë Gjoka”, theksoi Tabaku.
PD i bëri thirrje prokurorisë dhe KLSH, si dhe organizmave ndërkombëtare që të veprojnë, pasi bërja publike e këtyre fakteve detyroi Ramën që të anulojë tenderin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.