Në karrierën e saj si diplomate e Departamentit të Shtetit, Kathleen Ann Kavalec ka shërbyer për Shtetet e Bashkuara në vende si Rusia, Ukraina, Brazili dhe Rumania, por vështirë se në ndonjërin prej këtyre vendeve, roli dhe zëri i saj do të ketë patur peshën që ka në Shqipëri një zë i Uashingtonit.
Për këtë, ndoshta Kathleen Ann Kavalec e pret një detyrë më e vështirë dhe që me siguri do të kërkojë shumë më shumë energji e angazhim mes një tensioni të përhershëm politik të Tiranës.
Do të gjejë opozitën dhe mazhorancën që përplasen vazhdimisht për shumë çështje, por kryesorja vazhdon të mbetet reforma në drejtësi. Ndoshta informacionin për Shqipërinë ka nisur ta grumbullojë, por kur të zbresë në Tiranë do të përfshihet shpejt në realitetin shqiptar, e ndoshta të ambientohet me akuzat dhe kundërakuzat mes palëve, që fillojnë nga korrupsioni e deri tek lidhjet me krimin.
Më shumë mundësi Kavalec do të gjejë opozitën ende duke akuzuar qeverinë, Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm si të lidhur me krimin e organizuar dhe pengesë për integrimin e shqiptarëve në BE. Por, do të dëgjojë gjithashtu nga pala tjetër që kundërpërgjigjet me “tradhtarë” e “esadistë” që baltosin vendin me skenarë fantazie makabre në sy të ndërkombëtarëve.
E sigurtë është që në tryezë do të gjejë një dosje voluminoze të hartuar nga paraardhësi i saj, Donald Lu, që i lë porosi reformën në drejtësi dhe ecjen përpara të saj. Do të gjejë ende sistemin e ri të pandërtuar plotësisht, pasi ritmet e vettingut nuk premtojnë që kjo reformë të përmbyllet me ngritjen e institucioneve të parashikuara brenda pak muajve.
Me të ambasadore në Tiranë gjasat janë do të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai Gjyqësor, si dhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Pikërisht dy strukturat e fundit vlerësoheshin nga Donald Lu si institucionet që do të luftonin krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet e larta në Shqipëri.
Por, a do të jenë këto dy institucione prioritetet i Kathleen Ann Kavalec? Për më tepër, a do të ofrojë ajo të njëjtën mbështetje për reformën në drejtësi, ashtu siç bëri Donald Lu, aq sa u akuzua jo pak herë nga zëra brenda opozitës shqiptare për qëndrime të njëanshme, së bashku me ambasadoren e BE-së, Romana Vlahutin?
Po për “peshqit e mëdhenj”? Me shumë mundësi Donald Lu do të largohet pa parë asnjë të tillë në rrjetë dhe pyetja që ngrihet është nëse Kathleen Ann Kavalec do të vazhdojë të kërkojë ngritjen e rrjetës për kapjen e këtyre peshqve, ashtu si Lu, apo jo?
E në fund, nga një lexim i përgjithshëm i profilit të Kavalec, kupton se ajo është një njohëse e mirë e çështjeve ruse dhe i njeh mirë synimet e Moskës në Europën Lindore dhe në Ballkan. Ajo mbërrin në një vend mik të SHBA, por në një rajon që vazhdon të mbetet i dyzuar përsa i përket së ardhmes. Nëse shqiptarët si komb shohin pa mëdyshje drejt Perëndimit, në vende të tjera ka faktorë të tretë që po rrisin influencën dhe rritja e kësaj influence mund të prekë edhe Shqipërinë. A është Kavalec një emërim i Donald Trump për ta parandaluar këtë?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.