Politike

PD: Kryebashkiaku i Vaut të Dejës i dënuar në Itali dhe Maqedoni. Babani mohon akuzat

Një tjetër kryebashkiak i zgjedhur më 30 qershor është me të kaluar të dyshimtë dhe për këtë Partia Demokratike kërkon verifikimin. Bëhet fjalë për kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babanin që sipas opozitës është i ndaluar, i dënuar dhe dëbuar nga Italia dhe Maqedonia e Veriut.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i vuri në dispozicion prokurorisë të gjithë informacionin që disponon Partia Demokratike për kryebashkiakun e tretë të Edi Ramës, që rezulton me të kaluar kriminale.
“Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali gjatë periudhës 1994 -1999 dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga ana tjetër, të dhëna të bëra publike më parë tregojnë se ai ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe më pas dënuar edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2002-2003”- thuhet në shkresën e Partisë Demokratike.
Në këtë letër zbulohet edhe një detaj tjetër, që ngre dyshime të arsyeshme se Mark Babani i Bashkisë së Vaut të Dejës ka gënjyer në formularin e dekriminalizmit. “Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka jetuar për 5 vite në Itali. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Mark Babani nga periudha 1994 – 2005 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë me identitetin e tij real, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”

Letra e PD-së drejtuar Prokurorisë


Partia Demokratike me anë të kësaj letre vë në dijeni Prokurorinë edhe për të paktën 3 identitete të tjera që Mark Babani, i emëruar nga Edi Rama në Bashkinë e Vorës, nuk i ka deklaruar në formular.
“Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka mbajtur identitetin e ndryshuar Mark Ndoc Babaj, i datëlindjes 24.12.1966. Ekzistojnë dyshime të arsyeshme sipas indicieve të bëra publike më parë, se ky shtetas, gjithashtu në mënyrë ilegale ka mbajtur edhe disa identitete të tjera, të padeklaruara në Formularin e Dekriminalizimit, si më poshtë: Mark Ndoc Babani, i datëlindjes 24.12.1965; Marq Saimir Babaj, i datëlindjes 11.06.1967; Ylli Saimir Babaj, i datëlindjes 02.11.1968””, thuhet në këtë letër.
Në kërkesën për verifikimin e Mark Babanit nga Prokuroria,e shoqëruar me firmat e 500 qytetarëve, Partia Demokratike vë në dukje se pret një verifikim dhe reagim të shpejtë nga Prokuroria, për shkak të interesit të lartë që çështja paraqet.

Letra e PD-së drejtuar Prokurorisë


Babani është i treti kryebashkiak që opozita nxjerr si me të kaluar të dyshimtë dhe të zgjedhur në kundërshtim me ligjin “Për Dekriminalizimin”. Fillimisht nxori emrin e Valdrin Pjetrit të zgjedhurit në bashkinë e Shkodrës, i cili ishte i dënuar dhe dëbuar në Itali, por që e kishte fshehur atë në formularin e Dekriminalizimit. Pas këtyre akuzave Pjetri dha dorëheqjen dhe refuzoi të ushtronte detyrën e kryebashkiakut. Rasti tjetër është ai i Agim Kajmakut të bashkisë së Vorës, ku PD-ja e akuzon se ka qenë i dënuar në Greqi dhe ka ndërruar emrin në Jorgo Toto. Pavarësisht se Kajmaku i ka hedhur poshtë pretendimet se është dënuar, Prokuroria po heton të dyja rastet të Shkodrës dhe Vorës, ku pritet përgjigje nga Italia dhe Greqia për dy kryebashkiakët, nëse ato kanë qenë të dënuar ose jo.

Babani: Asnjëherë nuk kam ndërruar emrin dhe s’kam bërë burg
Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani ka reaguar menjëherë pas akuzave të PD-së, duke hedhur çdo akuzë të mundshme të bëra në adresë të tij. Për Ora News Babani u shpreh se nuk ka bërë as 24 orë burg në jetën e tij.
“Nuk i di pretendimet se jam në punë, por jam i gatshëm të sqaroj çdo gjë. Jam Mark Babani i lindur me 24 dhjetor 1966. Fisi jonë jemi me mbiemrin Babaj, por në shkollë të gjithë kushërinjtë dhe njerëzit e mi e kemi kthyer Babani. Kështu jam regjistruar në klasën e parë. Kam mbaruar shkollën e Mesme, kam mbaruar ushtrinë në Tiranë, kam qenë sportist në klubin Vllaznia për tre vjet, si Mark Babani. Kur kam shkuar në Itali me 6 mars të 1991 jam regjistruar Mark Babani i datëlindjes 24 dhjetor 1966. Momentin e parë kur kemi marrë Permeso e Sonxhornos (leje qëndrimi) në Itali, një grup i zonës sonë, në prill-maj të 1991 në Siçili, kam filluar punë në një fabrikë peshku në fund të ’91, shtator-tetor. Kam punuar për tre vjet deri në ’94. Punoja në dy punë, edhe në një hotel. Jam larguar nga Italia në 1995, me fabrikën që punoja kemi bërë një investim në Shëngjin të Lezhës”, deklaron Babani.

Rama, Bushati dhe Babani në fushatën elektorale në Vaun e Dejës


Sa i përket akuzave për dënim me burg, kryebashkiaku socialist thekson se “kjo pjesë nuk ka lidhje me mua dhe jetën time, më vjen shumë turp që i dëgjoj këto fjalë. Kam luftuar të gjithë jetën time me qenë një shqiptar model. Gjithë jetën unë, babai im dhe gjyshi im nuk i ka bërë kush 24 orë burg”.
Ndryshe nga pretendimi i PD-së, Babani thekson se “kam pasur absolutisht vetëm emrin Mark, do më vinte turp të ndryshoja emër për një arsye apo për një tjetër”.
Ai rrëzon edhe akuzat se nuk ka lëvizur në Itali prej disa vitesh, duke shtuar se ka udhëtuar me lejen e qëndrimit të Italisë dhe jo me pasaportë.
“Unë kam shkelur në Itali në vitin 1994 deri në vitin 2003, me emrin Mark Babani, e lidh këtë me vitet e punës që kam pasur atje dhe me kodin fiskal që kam pasur. Në vitin 2003 kam shkuar dorëzuar soxhornon dhe kam marrë vizën si biznesmen. Për shkak të biznesit e kaloj pjesën më të madhe të kohës në Evropë. Nëse arrijnë me gjet një gjobë 100 euroshe në një nga vendet e Evropës do i kem borxhin më të madh. Kemi 100 vjet histori që jetojmë për nder e lavdi e s’ka mundësi që një intrigant e i poshtër të vijë të njollosë emrin dhe mbiemrin e Mark Babanit, është turpi më i madh i atyre jo i imi, do i denoncoj për shpifje, jam i gatshëm që në këto momente t’i vihem në dispozicion prokurorisë, gjykatës së Krimeve të Rënda që ta çojmë në fund këtë histori. Jam hero i Ballkani se kam sjellë një punë të re në Ballkan”, thekson Babani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë