Politike

Ettore Sequi, ish-kreu i BE në Tiranë, shef kabinetit të Di Maio

Një sinjal pozitiv duket se vjen nga qeveria e re italiane për Shqipërinë. Pas marrjes së portofolit të Ministrisë së Jashtme italiane lideri i “Lëvizjes 5 Yjet”, Luigi di Maio, ka zgjedhur si kreun e tij të kabinetit, një figurë të njohur për shqiptarët.

Ettore Francesco Sequi është emëruar shef i ri i kabinetit i ministrit. Sequi është një diplomat me kompetencë të njohur, i domosdoshëm për të balancuar mungesën e përvojës së ministrit të ri të jashtëm.

Ettore Sequi ka qenë ndër të tjera edhe ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe ambasador i Italisë në Kinë.

Ai ka lënë gjurmë me angazhimin e tij në situatat e turbullta shqiptare të disa viteve më parë, duke qenë edhe një dashamirës i njohur i vendit tonë.

Ettore Francesco Sequi , Gazeta Si, 9 shtator 2019

Sequi u diplomua në Shkencat Politike në Universitetin e Cagliari në vitin 1981. Ai u bashkua me Ministrinë e Punëve të Jashtme fillimisht si vullnetar në karrierën diplomatike në vitin 1985.

Pas vitit të parë në Institutin Diplomatik, ai punoi si sekretar i legatës në Drejtorinë e Përgjithshme për çështjet Ekonomike, në 1994 ai u transferua në Kombet e Bashkuara në Nju Jork si sekretar i parë, derisa u emërua në kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme në vitin 1998.

Pas dy vitesh ekspieriencë në Tiranë dhe më pas në Kabul në vitin 2004, më pas Sequi u transferua në gradën Ministër i plotfuqishëm, duke shërbyer në Afganistan dhe Pakistan nga viti 2008 deri në vitin 2010.

Ai më pas ai drejtoi Delegacionin e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në Shqipëri. Që nga 20 korriku 2015 ai ka qenë në Pekin si ambasador italian në Republikën Popullore të Kinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë