Opozita ka reaguar menjëherë pas publikimit të raportit final të OSBE dhe ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi me anë të një postimi në rrjetet sociale u shpreh se konstatimet e këtij raporti tregojnë edhe një herë se zgjedhjet lokale ishte moniste dhe është konfirmim se Shqiperia ka nevojë jetike për zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas tij, më shume se një ligj, një vendim, një rregullore, zgjedhjet demokratike janë vullnet politik.
“Konfirmimi nga ODIHR se votimet moniste dhe antikushtetuese te 30 Qershorit “nuk morën në konsiderate interesin e qytetareve shqiptare”, është vlerësim që ndihmon forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri. Me konstatimet se votuesit nuk patën mundësi të zgjidhnin, se KQZ dhe Kolegji Zgjedhor shkelën ligjin dhe nuk vepruan në pavarësi, se u shkatërrua besimi i publikut në legiitimitetin e zgjedhjeve, se administratat zgjedhore cenoi besimin e publikut, se në listën e zgjedhësve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike që janë provë e votimit me perfaqësim nga të tjerët, ODIHR i vuri vulën paligjshmerise së 30 Qershorit”, thekson Bardhi.

Demokratët për herë të parë shprehën mirënjohje ekspertëve të ODIHR, që sipas Bardhit kanë dhënë kontribut në forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri.
“Në 30 qershor 85 % e shqiptarëve i paraprinë këtij Raporti dhe vendosën të refuzojnë që t’u vidhet vota nga Edi Rama. Shqipërise i duhet një qeveri që të respektojë vullnetin e qytetarëve të saj për zgjedhje të lira e të ndershme, që u mundësojnë qytetarëve të saj të ndikojnë në qeverisje dhe që mbajne në konsideratë vetëm interesat e tyre”, thekson Bardhi.
Një reagim për raportin e ODIHR e mbajti edhe nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Sipas tij, dokumenti i vëzhguesve ndërkombëtare tregoi qartë se më 30 qershor nuk kishte zgjedhje të popullit por vetëm zgjedhje të Partisë Socialiste. Ndër të tjera sipas Vasilit OSBE e thotë qartë se në Shqipëri është instaluar një diktaturë.
Ai duke lexuar një pjesë të vogël të raportit 36 faqësh të OSBE ka thënë se 30 qershori ishte një puç elektoral. “Pak çaste më parë u bë publike se OSBE ODIHR ika vënë vulën e turpit votimeve të Edi Ramës. Shqipëria, për shkak të Ramës ka shënuar faqen e zezë, ka mbajtur votime pa ligj, pa rregulla dhe kundër Kushtetutës. Në raport flitet më shumë se çdo koment. Nuk pati legjitimitet në zgjedhje. OSBE vë gishtin mbi pagë. Konstatimet e OSBE thonë se nuk ka pasur liri të qytetarëve për të votuar. OSBE thotë se dekreti i presidentit për 13 tetorin nuk u publikua në Fletoren Zyrtare, edhe pse publikimi i këtij akti është i detyrueshëm me ligj. Të gjithë kopukët e pushtetit nuk njohin as ligj dhe as Kushtetutë. OSBE shprehet gjithashtu se ka pasur zona kur ka pasur një kandidat. Edhe në zgjedhje që kanë qenë veç vetë, kanë numëruar vetë dhe prapë kanë vjedhur”, tha Vasili.

Vasili ka thënë se nata e sotme është një natë reflektimi mbi atë që publikoi OSBE dhe që në ditët në vijim të shërbejnë për të mos lejuar që për vendin tonë të shkruhen faqe të zeza.
Petrit Vasili theksoi se edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i implikuar në këto zgjedhje farsë, ndërsa nënvizoi se në raport thuhet edhe se krimet elektorale kanë mbetur të pazbardhura. Vasili tha se opozita e bashkuar do të lajmërojë protesta për skandalet e Rilindjes.
“OSBE thotë se KQZ i ka vunë vulën kësaj qeverie moniste. KQZ është koka e korruptimit bashkë me qeverinë. KQZ shndërroi vendin në shtet monist. KQZ shtrembëroi ligjin. Votimet moniste-socialiste u vulosën me vulën e turpit Këto vlerësime skandaloze ndodhen në të gjitha vendet e qytetëruara. Shqipëria nuk mund dhe nuk ka për t’u bërë shtet monist. Shqiptarët nuk do ta lejojnë këtë gjë, për shkak të vullnetit të popullit bashkë me opozitën e vendit. Celulat e Rilindjes kanë marrë peng Shqipërinë. Ditët e ardhshme do jenë ditë të një revolte mbarë popullore”, deklaroi Vasili.
Edhe kryetari i Partisë Agrare, Agron Duka reagon për raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë. ” Raporti i OSBE-së është autopsia mbi votën e vrarë në 30 qershor. Nga ky raport duhet të nisë shërimi i plagëve të demokracisë shqiptare, që kalon detyrimisht nga zbatimi i tij dhe nga zgjedhje të parakohshme, që t’i japin legjitimitetin e domosdoshëm njësive vendore dhe Parlamentit!”, thekson Duka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




