Partia Demokratike ndez motorët e organizimit të strukturave për t’iu përgjigjur në këtë mënyrë krizës politike. Pas një pushimi për shkak të sezonit veror, PD mësohet se ka thirrur një mbledhje me të deleguarit nëpër qarqet e vendit pasditen e së martës. Qëllimi i këtij takimi është riorganizimi i bazës dhe përgatitja për nisjen e protestave në vend. Lideri i PD-së ka paralajmëruar protesta masive.
Edhe pse nuk ka një datë fikse për nisjen e tyre, Basha pritet që ta vendosë një gjë të tillë pas takimit që pritet të zhvillojë të enjten me aleatët në selinë e tij.
Gjithashtu mësohet se PD dhe aleatët do të jenë në takime intensive me qytetarët në të gjithë Shqipërinë, kjo edhe për faktin se PD tashmë ka një platformë qeverisjeje që do t’i prezantohet çdo qytetari nga vetë Basha në takimet në të gjithë Shqipërinë.
Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, opozita me mosmarrjen pjesë në zgjedhjet lokale, i ka dorëzuar të gjitha bashkitë që kishte në drejtim, duke përfshirë edhe qytetet e konsideruara si bastione, si Kukësi, Shkodra, Kamza apo Vora. Kjo situatë e re mund të ndikojë edhe në faktin se sa PD-ja do të jetë një gjendje të organizojë protesta masive, pas dorëzimit të disa prej bashkive.
Ndërkohë një qëndrim i opozitës mbi aksionin politik, pritet të vendoset pikërisht edhe pas takimit që Basha do të zhvillojë me zyrtari e lartë të SHBA-së, David Kostelancik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




