Lulzim Basha thotë se janë të paktën nëntë kryebashkiakë me rekorde kriminale dhe aktivitet të dyshimtë në të shkuarën të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Lista e Publikuar nga kreu i PD nis me Valdrin Pjetrin në Shkodër.
“Shikoni pseudobashkiakët e rinj: Valdrin Pjetri ka fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge dhe duhet të ndiqet penalisht. Edi Rama e kandidoi dhe tani urdhëron prokurorinë e korruptuar ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit”, thotë ai.
Më pas, lista vazhdon me një tjetër kryebashkiak të ri, por politikan të vjetër; Pjerin Ndreun.
“Pjerin Ndreu, në listën e zezë të partnerëve prej vitit 2003 dhe i larguar nga policia për përfshirje në trafiqe, i kapur në përgjime në dosjen 184 duke urdhëruar shkarkimin e mësuesve që nuk votojnë për PS, në vend që të ndiqej penalisht, e kandidon dhe e mbron Edi Rama”, vijon Basha.
Lista përfshin edhe kryebashkiakët që rimorën mandatin, si Artur Bushi në Krujë, apo Tërmet Peçi në Tepelenë.
“Artur Bushi i Krujës mbaroi një mandat si bashkiak, trafikant në Itali dhe e rikandidoi. Dionis Imeraj, Valbona Sako, të dy të kapur në përgjimet e Dibrës, të dy mbrohen dhe promovohen nga Edi Rama. Tërmet Peçi, Klement Ndoni, trafikantë droge, në vend që të shkojnë para drejtësisë, mbrohen dhe rikandidohen. Agim Kajmaku, i kandiduar në Vorë, i dënuar në Greqi. Rakip Suli, i kapur në vjedhje flagrante me tendera dhe qira shtetërore, në konflikt të hapur interesi me statusin e deputetit, në vend që të largohej si deputet dhe të ndiqej penalisht, e mbron dhe e promovon Edi Rama”, vijon Basha.
Këta emra, thotë Basha, tregojnë që Edi Rama dhe krimi janë të pandashëm. “Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën!”, mbyll postimin e tij, Lulzim Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.