Presidenti Ilir Meta këtë të diel ka lëshuar mesazhe me kod përsa i përket zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri.
Me anë të një postimi në Facebook, Meta shkruan “Përshëndetje miq! Domatet duan ende kohë për t’u pjekur. Do durojmë edhe ca!”.
Meta me anë të këtij mesazhi të koduar i referohet mbase faktit që akoma nuk janë pjekur kushtet që palët të ulen në një dialog për të zgjidhur krizën politike.
Dy ditë më parë presidenti Ilir Meta me anë të letre drejtuar drejtuesve më të lartë të OSBE-së, sekretarit të Përgjithshëm, drejtuesit të radhës së këtij organizmi, si dhe kryetarit të Asamblesë Parlamentare kërkoi që të ndërhynin për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Në këtë letër ai kërkon që të ndërhyhet sa më parë në mënyrë që situata në Shqipëri të mos rëndohet.
“Në cilësinë e Presidentit të Republikës, institucioni që përfaqëson unitetin e popullit shqiptar, do të doja t’i kërkoja zyrtarisht OSBE-së që të ndërmjetësojë një dialog politik gjithëpërfshirës në Shqipëri, me qëllim arritjen e një zgjidhje të gjithanshme, e cila të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm e krizës aktuale politike, institucionale dhe sociale në vend. OSBE-ja është institucioni i duhur për ta ndihmuar Shqipërinë në këto çaste kritike”, shkruan Meta në këtë letër.
Ndërsa më tej shkruan që sipas për tentativat e qeverisë për të kapur të gjitha institucionet në Shqipëri dhe se “Siç ju kam njoftuar edhe në disa raste të mëparshme, kriza politike në Shqipëri po thellohet dita-ditës. Tensionet politike dhe shoqërore po rriten, ndërsa polarizimi mes palëve kundërshtare po përshkallëzohet gjithnjë e më tepër”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




