Partia Demokratike reagon ndaj vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për caktimin e gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë me qëllim dhënien e vendimeve për ekstradimet.
Me anë të deklarate për mediat, Partia Demokratike e cilëson një vendim të tillë si antikushtetuese dhe dhunim të ligjit themeltar të shtetit shqiptar.
“Partia Demokratike e Shqipërisë shpreh shqetësimin për dhunimin flagrant të Kushtetutës dhe për degradimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor në një korporatë private të Edi Ramës, që nuk i shërben interesit publik, por vrasësve dhe kriminelëve. Caktimi i gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor bie ndesh me Kushtetutën. Sipas Kushtetutës duhet që për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të japë pëlqimin edhe Presidenti i Republikës”, thuhet në reagimin e selisë blu.

Për Partinë Demokratike është shumë e rëndësishme që çështjet me natyrë urgjente, të cilat lidhen me shqyrtimin e kërkesave për ekstradim, të zgjidhen brenda afateve ligjore dhe pa rrezikuar që kriminelët të lirohen për shkak të mungesës së gjykatës.
“Por, kjo duhet të realizohet në përputhje me Kushtetutën, sepse, ndryshe, mund t’u shërbejë kriminelëve si alibi për të kërkuar lirimin e tyre. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka për detyrë të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të vënë në funksionim sa më parë Gjykatën e Lartë dhe jo të dhunojë Kushtetutën me emërim gjyqtarësh të përkohshëm sipas modelit antishtet të Edi Ramës për të kontrolluar drejtësinë me prokurorë e gjyqtarë të përkohshëm. Kjo është drejtësia private e Edi Ramës, e cila ka peer qëllim të mbrojë nga ndëshkimi Edi Ramën dhe t’u japë vrasësve dhe kriminelëve një alibi për t’i shpëtuar drejtësisë së vërtetë!”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Dy ditë më parë Këshilli i Lartë Gjyqësor caktoi Sokol Binaj dhe Albana Boksi si gjyqtarë të përkohshëm për shqyrtimin e çështjeve të ekstradimeve. Gjyqtarët e Apelit të Krimeve të Rënda, të cilat kanë kaluar Vettingun, e së bashku me anëtarin në detyrë Adrian Dvorani do të shqyrtojnë çështjen e ekstradimeve.
Kjo zgjidhje e KLGJ-së është propozuar nga misioni Euralius dhe shihet si e përkohshme për të realizuar zgjidhjen e krizës së krijuar. Ndërsa ky institucion ka nisur përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Gjykatës së Lartë të atyre që vijnë jashtë sistemit të drejtësisë. Janë 21 kandidatë që do të përzgjidhen nga KLGJ nga sistemi i pikëzimit për tre vendet në këtë gjykatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




