Lajme

A është Scorpion-3 e ardhmja e transportit?

Oficerët e policisë së Dubait mund të mbërrijnë së shpejti në një skenë krimi duke fluturuar nga ajri, por jo me mjetet tradicionale që njohim deri më tani, si helikopterët apo avionët, por me motoçikleta fluturuese.

Kompania ruse, Hoversurf dhe autoritetet e Dubait kanë nënshkruar një kontratë që do të pajisë me një flotë të tërë mjetesh fluturuese Scorpion-3 policinë e vendit arab.

Bëhet fjalë për një mjet që shfrytëzon teknologjinë e dronëve për të fluturuar dhe mban si ekuipazh vetëm një person, të paktën për momentin.

https://www.facebook.com/InTheKnowInnovationAOL/videos/1909744559318198/

Kontrata u nënshkrua pas testimeve disamujore të mjetit, që policia e Dubait do t’ja shtojë flotës së vet të makinave super të shpejta dhe luksoze, duke vazhduar që të ruajë reputacionin si policia më avangarde në planet.

Scorpion-3 furnizohet nga një bateri e fuqishme dhe është krejtësisht elektrike. Mjeti, një “shartim” mes motoçikletave dhe dronëve ka vendosur rekordin në lartësinë e fluturimit duke u ngjitur në 30 metra pa asnjë problem, por për shkaqe sigurie do të programohen që të mos fluturojnë më lart se gjashtë metra dhe të mos ecin më shpejt se 70 kilometra për orë.

Autoritetet e Dubait thonë se para se oficerët e policisë të dalin me mjete të tilla në rrugë, do t’u nënshtrohen fillimisht një kursi intensiv të drejtimit dhe të respektimit të manualit të sigurisë të Scorpion-3.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë