Irena Beqiraj
Demokracia që “çirret” për ekonomi!
Mbajtja e rritjes së qëndrueshme ekonomike një objektiv i rëndësishëm dhe i arritshëm për Shqipërinë po lëkundet. si të gjitha "Fitoret " e këtij vendi , konsolidimi fiskal , modeli i ri ekonomik, shfaqen sot anemik , i dobët , me përmirësime të luhatshme duke rritur pasigurinë mbi të ardhmen .
Problemet kryesore të vendit qëndrojnë në mungesën e vëmendjes që u kushtojmë nevojave thelbësore të njerëzve, veçanërisht të te varfërve dhe të rinjve . Sot rritja ekonomike qartazi na tregon se përpjekjet tona kokëforte për ta bërë debatin politik pjesë të pandarë të tavolinës së çdo shqiptari , kanë zvogëluar mijëra fish mundësinë për ta bërë rritjen ekonomike pjesë të ekonomisë familjare të shqiptarve.
A i shfrytëzuam mirë burimet publike të gjeneruara për të përmirësuar kushtet e jetesës së njerëzve? A përjetojmë një mungesë të vazhdueshme të shërbimeve sociale cilësore siç janë shkollimi dhe kujdesi mjekësor, si dhe të shërbimeve si psh: uji i sigurt, energjia elektrike, kullimi, transporti dhe kanalizimet?
A mos ka ardhur koha që strategjinë e kaherëshme do bëjmë më shumë, me më pak , ta zëvendësojmë me strategjinë " do të bëjmë aq sa mundemi por saktë?
Çdo njeri që ka kaluar një javë në politikë ( edhe një javë në politikë është kohë e gjatë ) do të nënqeshte duke menduar politikisht, që strategjia e dytë naivisht e sinqertë nuk na duhet sepse nuk shet .Por kujt po " i shitemi " vallë?
Ekonomia jonë kërkon pikërisht një reflektim të sinqertë, të hapur, gjithëpërfshirës jashtë konfliktit politik afatgjatë, larg propagandës, brenda nesh e më afër mirëqënies së shqiptarëve.
Ekonomia jonë ka nevojë urgjente për dije, pasi rritja ekonomike do të vazhdojë të kërcënohet jo vetëm nga mungesa e infrastrukturës sociale dhe fizike por mbi të gjitha kërcënohet nga neglizhenca karshi burimit bazë të saj, zhvillimit të aftësive njerëzore. Injoranca na ka kushtuar e po na kushton cdo ditë e më shumë.
Sistemi ynë demokratik është jo fare çuditërisht në kaos .
As i pari e as i fundit, në historinë botërore të njerëzimit , rasti shqiptar konfirmon se demokracitë janë jashtëzakonisht të brishta kur përballet me varfërinë. Tash e 30 vjet, ëndërrojmë, kërkojmë "demokracinë e paepur" të vendeve të zhvilluara .
Tash e 30 vjet , harrojmë që njerëzit e varfër kanë më shumë gjasa të qeverisen nga diktatorët, bëhen lehtësisht pjesë e dhunës kolektive . Në varfëri drejtësia është luks , korrupsioni zakonshmëri , pandëshkueshmëria përfitim që u takon ekskluzivisht elitave politike.
Ndër njerëz të varfër, fitoret politike , pavarësisht llojit të tyre janë po aq të paqëndrueshme sa ekonomia ku ngrihen . Ato i ngjajnë ngrehinave të ndërtuara mbi kraterin e një vullkani.
Në luftën për të ndërtuar demokracinë, duhet të hapim veshët e qartësisht do të dëgjojmë që demokracia po çirret mbi të gjitha për ekonomi !
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.