Irena Beqiraj

Demokracia që “çirret” për ekonomi!


Mbajtja e rritjes së  qëndrueshme ekonomike  një objektiv i rëndësishëm dhe i arritshëm për Shqipërinë po lëkundet. si të gjitha "Fitoret " e  këtij vendi ,  konsolidimi fiskal , modeli i ri ekonomik, shfaqen sot anemik , i dobët , me përmirësime  të luhatshme duke rritur pasigurinë mbi të ardhmen . 
Problemet kryesore të vendit qëndrojnë në mungesën e vëmendjes që u kushtojmë nevojave thelbësore të njerëzve, veçanërisht të te varfërve dhe të rinjve . Sot rritja ekonomike qartazi na tregon se përpjekjet tona  kokëforte  për ta bërë debatin politik pjesë të pandarë të tavolinës së çdo shqiptari  , kanë  zvogëluar  mijëra fish mundësinë  për ta bërë rritjen ekonomike pjesë të ekonomisë  familjare të shqiptarve.

A i shfrytëzuam  mirë burimet publike të gjeneruara  për të përmirësuar kushtet e jetesës së njerëzve?  A përjetojmë një mungesë të vazhdueshme të shërbimeve sociale cilësore  siç janë shkollimi dhe kujdesi mjekësor, si dhe të shërbimeve si psh:  uji i sigurt, energjia elektrike, kullimi, transporti dhe kanalizimet? 
A mos ka ardhur koha që strategjinë e kaherëshme do bëjmë më  shumë, me më pak , ta zëvendësojmë me strategjinë " do të bëjmë aq sa mundemi  por saktë? 
Çdo njeri që ka kaluar një javë në politikë ( edhe një javë në politikë është kohë e gjatë  ) do të nënqeshte  duke menduar politikisht,  që strategjia e dytë naivisht e sinqertë nuk na duhet sepse nuk shet .Por kujt po " i shitemi "  vallë? 

Ekonomia  jonë kërkon pikërisht një reflektim të  sinqertë, të hapur, gjithëpërfshirës jashtë konfliktit politik afatgjatë, larg propagandës, brenda nesh e më afër mirëqënies së shqiptarëve.  
Ekonomia jonë ka nevojë urgjente për  dije, pasi  rritja ekonomike do të vazhdojë të  kërcënohet jo vetëm nga mungesa e infrastrukturës sociale dhe fizike por mbi të gjitha  kërcënohet nga neglizhenca karshi burimit bazë të saj, zhvillimit të aftësive njerëzore.  Injoranca na ka  kushtuar e po na kushton cdo ditë e më shumë.  

Sistemi ynë demokratik është jo fare çuditërisht në kaos . 
As i pari e as i fundit, në historinë botërore të njerëzimit , rasti shqiptar konfirmon  se demokracitë janë jashtëzakonisht të brishta kur përballet me varfërinë. Tash e 30 vjet,  ëndërrojmë, kërkojmë  "demokracinë e paepur" të vendeve të zhvilluara  . 
  Tash e 30 vjet ,  harrojmë që njerëzit e varfër kanë më shumë gjasa të qeverisen nga diktatorët,  bëhen lehtësisht pjesë e dhunës kolektive . Në varfëri  drejtësia është luks , korrupsioni zakonshmëri , pandëshkueshmëria përfitim që u takon  ekskluzivisht  elitave politike.  

Ndër njerëz të varfër, fitoret  politike , pavarësisht llojit të tyre janë po aq të paqëndrueshme sa ekonomia ku ngrihen . Ato i ngjajnë ngrehinave të ndërtuara mbi kraterin e një vullkani. 

  Në luftën  për të ndërtuar  demokracinë, duhet të hapim veshët e qartësisht do të  dëgjojmë që demokracia po çirret mbi të gjitha për ekonomi !


Copyright © Gazeta “Si”