Lajme

Pesë momentet kyçe të diplomacisë së Donald Trump

Shtëpia e Bardhë ka bërë një bilanc të linjës së ndjekur nga Presidenti amerikan Donald Trump deri më tani dhe rezultati, sipas një deklarate të shpërndarë në faqen zyrtare të saj, thotë se Presidenti ka “rikthyer SHBA si vend lider në botë”.

Janë pesë momente që përmenden në deklaratën e administratës së Donald Trump, nga të cilat vetëm në dy prej tyre ka patur mbështetjen e hapur dhe të pakushtëzuar të aleatëve tradicionalë europianë.

Së pari renditet takimi historik me Kim Jong-un, të zhvilluar më 12 qershor në Singapor. Samiti përfundoi me një deklaratë të përbashkët, por pa një marrëveshje konkrete. Për të parë rezultatet e bisedës kokë më kokë Trump-Kim Jong-un duhen pritur fazat e tjera të negociatave që vazhdojnë. Kryetemë mbetet çarmatosja bërthamore e Penianit.

Së dyti, renditet vendimi për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Donald Trump e quajti të papranueshme gjatë fushatës dhe e mbajti premtimin e dhënë për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga ujdia. Vendimi është qortuar ashpër nga aleatët europianë dhe nënshkruesit e tjerë të paktit.

Së treti, Donald Trump merr meritat e shkatërrimit të ISIS-it, por pa hequr kontributin e aleatëve.

Së katërti renditet përgjigja e menjëhershme ndaj Bashar al-Assad për përdorimin e armëve kimike në konfliktin e stërzgjatur sirian.

Së pesti mbërrin një tjetër vendim i qortuar, ai i njohjes së Jeruzalemit kryeqytet të Izraelit. Edhe ky ishte një premtim i Donald Trump, që u realizua zyrtarisht në maj të 2018. Por, në dhjetor të vitit të kaluar vendimi i Uashingtonit për njohjen e këtij qyteti si kryeqytet të Izraelit shkaktoi reagime të forta edhe nga vendet e Bashkimit Europian dhe në OKB u miratua një rezolutë që e kundërshtonte këtë lëvizje të amerikanëve.

Megjithatë, Trump mbetet i bindur se bilanci i tij dhe mesazhi i përcjellë prej tij është i fortë dhe i qartë: rikthimin e SHBA si vend udhëheqës global.

“Të gjitha kombet e botës, vende mike apo jo zbuluan se Amerika është e fortë, Amerika është krenare dhe Amerika është e lirë”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë