Raporti i Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë pritet të konfirmojë rekomandimin pozitiv të një viti më parë. Por, vendimmarrja finale i takon Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Ky i fundit do të mblidhet pak ditë para zgjedhjeve për Parlamentin Europian, që mbahen në fund të qershorit.
Nga kjo mbledhje nuk pritet ndonjë surprizë e madhe, përveç lajmit të konfirmuar që në samitin e Berlinit se bisedimet e anëtarësimit do të shtyhen për në vjeshtë. Sinjalet se vendimi për të mos marrë vendim do të shtyhet me disa muaj janë dhënë dhe ato janë më të forta sërish nga tre vendet që një vit më parë e shtynë vendimmarrjen për këtë qershor; Franca, Holanda dhe Danimarka.
Parimisht Franca mbetet një mbështetëse e zgjerimit, por para këtij procesi po këmbëngul për një reformim të brendshëm të Bashkimit Europian. Ndaj zyrtarisht, qëndrimin skeptik Presidenti Macron e ka argumentuar si nevojë për t’u përballur me populistët përpara zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Deutsche Welle, duke cituar burime nga korridoret e Brukselit thotë se Parisi duket se ka pranuar me dhimbje hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut, por jo për Shqipërinë.

Për Shqipërinë, thotë media gjermane, Franca vëren hapa pas, duke cituar këtu numrin e madh të azilkërkuesve shqiptarë për 2018, që sipas shifrave janë të dytët pas shtetasve afganë dhe shqetësimi i dytë që lidhet me krimin e organizuar. Dilema franceze tashmë është nëse do të refuzojë hapjen e negociatave me Shqipërinë këtë qershor dhe të pranojë hapjen e tyre më Maqedoninë e Veriut, apo t’i shtyjë që të dyja vendet për në vjeshtë. Zgjidhja mund të gjendet nga raporti i progresit që do të publikojë Komisioni Europian. Nëse ky Komision vëren një diferencë të madhe progresi mes Shkupit dhe Tiranës, atëherë Franca mund të hapë traun e bisedimeve për Maqedoninë dhe ta ulë atë për Shqipërinë.
Por, me këtë qëndrim Parisi mund të tërheqë pas vetes edhe Gjermaninë. Qeveria gjermane mbetet kërkon hapjen e negociatave si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, por gjithçka do të vendoset nga Bundestagu. Në thelb, parlamenti gjerman është pro zgjerimit, por grupi parlamentar më i madh, ai i CDU/CSU mund të konsultohen me qëndrimin francez para se të vendosin vetë. Një vendim që shtyn afate i Francës, automatikisht do të rriste dozat e një vendimi të ngjashëm edhe nga Gjermania.
Pas Francës mbërrin Holanda. Edhe këtu ai që vendos është Parlamenti, me të njëjtët deputetë që pak javë më parë votuan rezolutën që i kërkon qeverisë vendase të lobojë në Bruksel për rivendosjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, duke përdorur si arsyetim rritjen e kriminalitetit shqiptar në Holandë.

Kërkesa drastike mori mbështetjen e shumicës. Votimi nuk kthen vizat për shqiptarët, madje vetë Komisioni Europian e mohoi se deri më tani ka një kërkesë për një masë të tillë. Por, simbolika që përçon është e fortë përpara vendimmarrjes për çështjen e negociatave. Me mision lobimi në këtë Parlament ishte së fundmi një delegacion i Parlamentit të Shqipërisë, kryesuar nga vetë kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Ruçi foli me optimizëm se nuk do të ketë bllokim, por deri më tani nuk ka asnjë zë të fuqishëm në Parlamentin holandez pro hapjes së negociatave.
Vendi i tretë është Danimarka. Nga Kopenhageni nuk ka aq zhurmë sa në Holandë, por në mediat vendase kanë qarkulluar shpesh artikuj “shqetësues” mbi shndërrimin e Danimarkës në vend tranzit të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë që tentojnë Britaninë e Madhe.

“The Copenhagen Post” shkruan se politikanët danezë në Bashkimin Europian po shqyrtojnë mundësinë e përforcimit të regjimit të lëvizjes së lirë në zonën Shengen për shtetasit shqiptarë për këtë arsye. E përjavëshmja skandinave shton se në tre muajt e fundit janë ndaluar 54 shtetas shqiptarë në përpjekjë për të mbërritur në brigjet britanike.
Ashtu si në Holandë, edhe këtu forcat pro hapjes së negociatave do të vihen përballë presionit të kundërshtarëve të hapjes së tyre në qershor. Megjithatë, vetë Danimarka nuk ka dalë asnjëherë “delja e zezë” me vendime bllokuese, por ka ndjekur vendimet e marra nga anëtaret kryesore të Bashkimit Europian, si Franca dhe Gjermania. Pra, edhe vendimi danez në një masë të madhe do të ndikohet nga vendimi francez.
Një tjetër vend që mund të vendosë shtyrjen është fqinj. Bëhet fjalë për Greqinë. Athina, nga një mbështetëse e fortë e procesit integrues të Shqipërisë, mund të shndërrohet në një prej pengueseve kryesore dhe shkak për këtë janë përplasjet për minoritetin, që kohët e fundit janë ndezur sërish. Shkak u bë vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i refuzuar kandidimin Fredi Belerit. Ministria e Jashtme greke reagoi menjëherë pas këtij vendimi duke deklaruar se vendimi nuk kishte bazë ligjore. Reagimi pasoi takimin që vetë Fredi Beleri, Vangjel Dule dhe përfaqësues të tjerë të minoritetit grek në Shqipëri zhvilluan në Ministrinë e Jashtme greke.
Ky është reagimi i radhës i Athinës në vazhdën e reagime të saj, që me çështjen e pronave në bregdet e deri tek vrasja e ekstremistit grek, Konstandions Kaçifas në Bularat tetorin e vitit të kaluar. Përplasjet janë reflektuar edhe në qëndrimin e Greqisë sa i takon hapjes së negociatave të anëtarësimit në bllok si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut.

Greqia ka ndërmarrë një fushatë të mirëfilltë diplomatike për t’i bindur vendet anëtarë të Bashkimit Europian të hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut, por në asnjë nga deklaratat e zyrtarëve të saj nuk përmendet hapja e negociatave me Shqipërinë. Së fundmi ishte kryeministri Alexis Tsipras ai që kërkoi hapjen e dyerve të BE-së për Shkupin, duke deklaruar se shtyrja e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut do të ishte një armë për nacionalistët dhe një kthim prapa për vendi fqinj.
Kryeministri maqedonas është i vetëdijshëm që ndodhet në një pozicion më komod se homologu i tij shqiptar, ndaj gjatë samitit të Berlinit shantazhoi me dorëheqje nëse Maqedonisë nuk i hapeshin negociatat në qershor. Pyetja që ngrihet është nëse nga “shantazhi” i Zaev me dorëheqje do të përfitojë edhe Shqipëria, apo që të dyja vendet do të përcillen me lajkat e përhershme për në vjeshtë?
Tre janë mundësitë. E para që procesi të ndahet, pra Maqedonisë t’i hapen negociatat në qershor dhe Shqipërisë t’i shtohen për në vjeshtë. Skenari i dytë është hapja e negociatave për të dyja vendet që në qershor dhe skenari i treti shtyrja e negociatave si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut në vjeshtë.
Skenari i parë do të rrëzonte alibinë teknike të mungesës së kohës së Bundestagut për të shqyrtuar raportin e Komisionit Europian. I dyti, ka pak gjasa që të ndodhë, të paktën nisur edhe nga sinjalet e përcjella përmes deklaratave të lëshuara nga Macron dhe Merkel në samitin e fundit. Skenari i treti, pra ai që shtyn hapjen e negociatave për në vjeshtë, e ndoshta edhe përtej saj, konsiderohet si më i realizueshmi.
Kalvari i integrimit
Aspirata e qytetarëve shqiptarë për t’iu bashkuar familjes europiane nisën që në fillim të viteve ’90. Në vitin 1997, Këshilli i Europian adoptoi rezolutën që kushtëzonte zhvillimin e mëtejshëm të raporteve mes Tiranës dhe Brukselit me përparimin ekonomik dhe politik.
Nën presidencën e Romano Prodit, në fillim të 2003 BE nis bisedimet për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit. Tensionet e politike të vazhdueshme mes Qeverisë dhe opozitës në atë kohë, rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe sidomos ndaj trafikut të qënieve njerëzore e zvarritën këtë proces.
Marrëveshja u nënshkruan në vitin 2006 dhe nga 1 janari i 2007, Shqipëria përfitonte nga fondet IPA për t’u përgatitur për anëtarësim. Një vit më vonë, BE lehtëson regjimin e vizave për shtetasit shqiptarë, ndërsa në 2009 hyn në fuqi marrëveshja e stabilizim-asociimit, që i hapte rrugë Shqipërisë për të dorëzuar dosjen e statusit të vendit kandidat.
Më 24 prill të 2009, Shqipëria dorëzon tek presidenca çeke e Bashkimit Europian aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat. Marrja e këtij statusi u kushtëzua ndër të tjera me përmbushjen e tre reformave, që niste me rregulloren e Parlamentit, ligjin për Gjykatën e Lartë dhe atë për administratën civile.
Ndryshimet kërkonin shumicë të cilësuar. Konflikti politik që buroi pas rezultatit të zgjedhjeve e pengoi sigurimin e shumicës për kalimin në Kuvend.
Në 2011 Shqipëria iu caktuan 12 prioritete, një pjesë e mirë e të cilave kërkonin konsensus politike. Konsensusi mungoi dhe para zgjedhjeve të 2013, Sali Berisha u drejtohej qytetarëve me idenë për miratimin me referendum të reformave të kërkuara nga BE për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Zgjedhjet e 2013 i humbi dhe bashkë me të u largua edhe ideja e referendumit. Pak muaj pas këtyre zgjedhjeve, në vjeshtën e atij viti Komisioni Europian i drejtuar nga Stefan Fyle. “Shqipëria të marrë Statusin e vendit kandidat duke rënë dakord që ajo të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhej në raport.
Në qershor të 2014, nën presidencën greke, Shqipërisë i jepet statusi i vendit kandidat, ndërsa hapja e negociatave të anëtarësimit kushtëzohej me reformën në drejtësi, thellimin e reformave në fushat e tjera dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Katër vite më vonë, qershor të 2018, Komisioni do të rekomandonte hapjen pa kushte të negociatave të anëtarësimit. Por, thirrja e Komisionit pa kushte u kushtëzua nga Këshilli Europian. Këtë herë, më shumë sesa situatë dhe realizimi i detyrave të lëna Tiranës, vendimmarrja u kushtëzua nga situata e brendshme e Bashkimit Europian, vendet anëtare të të cilit po përballeshin dhe përballen ende me një frymë në rritje të forcave populiste dhe anti-BE.
Nën presionin e këtyre forcave dhe një vit para zgjedhjeve për Parlamentin Europian, Këshilli shtyu hapjen e negociatave duke vënë si datë qershorin e këtij viti. Tani, gjasat janë që qershori të shmanget sërish dhe si afat i ri të vendoset vjeshta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




