Është Goga Basket fituesi i kampionatit kombëtar në basketboll për meshkuj në sezonin 2018-2019. Skuadra durrsake e sapoformuar, arriti këtë vit që të fitonte titullin kampion në vitin e saj të parë në Superligë me meshkujt. Finalja ishte shumë e fortë me Teutën, që tentoi ta merrte fronin e kampionit edhe këtë sezon, por në sfidën e pestë iu desh që të dorëzohej.
Ndeshja e pestë që mbylli bilancin e përballjeve 3-2 perfundoi në shifrat 81-60 dhe ekipi privat i Gogës nuk i la asnjë shans “djemve të detit”. Ashtu si një vit më parë, finalja e pestë play off është e mallkuar për Teutën, që nuk arrin fitojë, pasi vjet durrsakët u mundën nga Tirana. Gjithsesi për Teutën edhe ky sezon nuk mund të quhet një dështim, pasi ka fituar dy trofe, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën.
Ndërsa për Goga Basket, ajo që nuk u arrit dot për disa vite me radhë me ekipin e vajzave, me djemtë u bë e mundur brenda një viti. Suksesi përtej të gjithave ka një meritë të veçantë edhe për trajnerin Lazimi, i cili ia doli që të formojë një ekip të fortë dhe me shpirt gare që nuk u dorëzua në asnjë moment. Ekipi i Gogës ia doli që të shfrytëzonte edhe faktorin fushë, duke i fituar dy ndeshjet e fundit në sallën e saj sportive në Xhafzotaj.
Bilanci i finaleve të play off në basketboll për meshkuj:
Ndeshja 1; Goga Basket – Teuta, 84-88
Ndeshja 2; Teuta – Goga Basket, 72-73
Ndeshja 3; Goga Basket – Teuta, 79-70
Ndeshja 4; Teuta – Goga Basket, 81-71
Ndeshja 5; Goga Basket – Teuta, 81-60
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.