Super grabitja brenda aeroportit të Rinasit solli reagimin në bllok të kryeministrit dhe të gjithë ministrave nga ai përgjegjës për transportin dhe deri te më i fundit, duke nxjerrë një shkaktar të vetëm për ngjarjen e ndodhur: Fajin e ka koncensionari dhe jo shteti.
“Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi po njësoj në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s'do pranojë asnjë justifikim nga kompania, po do marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm e të sigurisë së brendshme. Respekt për policinë që sulmohet veshëgjatësisht”. Ky do të ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama pas grabitjes së bujshme, i cili do të pasohej dhe me deklaratat breshëri të ministrave të tjerë.
“Ajo që tashmë dihet nga analiza dhe hetimi është se, mekanizmat e sigurisë, që janë nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncesionare të aeroportit, kanë dështuar tërësisht. Koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil”, do të shprehej ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka, e cila nxitoi të bënte publik lajmin për dislokimin e forcave ushtarake pranë aeroportit të Rinasit.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në deklaratën e tij do të fajësonte koncesionarin se nuk kishte lajmëruar policinë në kohë për ngjarjen e ndodhur.
“Nga analiza e deritanishme, rezulton se nuk kanë funksionuar aspak mekanizmat e sigurisë që janë nën përgjegjësinë e Kompanisë Koncensionare të aeroportit. Kompania kineze që ka koncesionin e aeroportit të Rinasit ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj për garantimin e parametrave të sigurisë fizike. Koncesionari dhe Kontraktori i zgjedhur prej tij, që përgjigjet për sigurinë fizike të Aeroportit, nuk kanë arritur të zbatojnë standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil (ICAO), megjithëse vetëm për llogari të sigurisë kanë arkëtuar rregullisht dhe pa ndërprerje afërsisht 3 euro për çdo pasagjer që ka dalë nga ky aeroport”, do të deklaronte Lleshaj.
Shkarkimi i përgjegjësisë nga kjo grabitje, si një “deja vu” e ndodhur tre vite më parë, duke e lënë topin e përgjegjësisë te koncensionari dhe TIA-s. ‘China Everbright’ është kompania që prej tetorit 2016 ka marrë në koncesion aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, si dhe 100 për qind të aksioneve të kapitalit aksionar të Tirana International Airport (TIA). Pavarësisht se brenda perimetrit të aeroportit siguria i përket koncensionarit, jashtë kësaj zone ruajtja edhe kontrolli i takonte policisë së shtetit, e cila operon dhe brenda me shërbimet e kontrollit tw pasagjerwve.
Por Autoriteti Civil është institucioni që ka përgjegjësinë për të kontrolluar dhe ushtruar mbarëvajtjen dhe lidhur me problemet që mund të ketë me sigurinë në aeroportin e Rinasit. Kështu pranë autoritetit funksionon Këshilli Drejtues, i cili ka për detyrë dhe përgjegjësi për mbarëvajtjen e këtij institucioni. Sipas vendimeve të qeverisë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka qenë kryetar i Këshillit Drejtues. Në një vendim të dhjetorit 2017 qeveria vendosi që këshilltari i kryeministrit për Çështjet e Sigurisë, kolonel Lleshaj tw ishte kryetari i saj, si dhe anëtarë Brunilda Lilo, Hajrulla Çeku, Vladimir Avdiaj dhe Etleva Kondi. Sipas ligjit ky Këshill duhej të mblidhej një herë në dy muaj.
Vetë Lleshaj, tashmë në postin e ministrit të Brendshëm ka qenë në dijeni të zhvillime të brendshme dhe të probleme që ka pasur Autoriteti Civil sa i përket çështjes së sigurisë dhe jo vetëm, por edhe për vendosja e tarifave dhe çmimeve të “kripura” që vendoseshin nga koncesionari për transportin ajror të udhëtarëve.
Çështja e sigurisë në Aeroportin e Rinasit ka qenë edhe objekt i debatit të mëparshëm në këtë Komitet të Sigurisë Kombëtare të Aviacionit Civil Shqiptar, i cili analizoi për më shumë se dy orë ngjarjen e 30 Qershorit 2016 të grabitjes.
Përfaqësuesit e policisë, drejtori i Policisë së asaj kohe Haki Çako dhe drejtori i Kufirit Genc Merepeza theksuan se roli i saj në sigurinë e aeroportit duhet të jetë më i madh duke riparë elementet e kontratës. Kjo u kundërshtua nga përfaqësuesit e TIA-s, të cilët kërkuan vetëpërmbajtje deri në momentin që do të përfundojë hetimi për përgjegjësit realë.
Komiteti drejtohet nga drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe në përbërje të tij ka drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zëvendëskryetar; si dhe anëtarë: drejtorin e Përgjithshëm të Doganave; drejtorin e Kufirit, në Policinë e Shtetit; drejtorin e Përgjithshëm të Aeroportit; një përfaqësues të operatorëve të shoqërive ajrore; drejtorin e Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror (ANTA); drejtorin e Aeroporteve dhe Sigurisë së Aviacionit Civil (AAC); komandantin e Forcave Ajrore; drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile (MB); shefin e Shërbimit të Kërkim - Shpëtimit (SAR/MM); drejtorin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKSHI/MITIK).
Nga kjo përbërje kuptohet se edhe strukturat e ministrisë së Brendshme janë në dijeni të situatës në Rinas sa i përket çështjes së sigurisë dhe kjo mjafton të lexojnë raportet në lidhje me problematikat që janë konstatuar ndër vite, e kjo pas grabitjes së ndodhur në vitin 2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.