Familjarët në morg e konfirmojnë: Trupi është i Admir Muratajt
Admir Murataj është personi i vrarë dje gjatë grabitjes së miliona eurove në Aeroportin e Rinasit. Konfirmimi i u bë nga bashkëshortja dhe i vëllai, që shkuan pranë morgut në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.
Shoqata e Bankave: Përgjegjësia, e aeroportit
Shoqata e Bankave ka dënuar grabitjen e 10 milionë eurove të martën e 9 prillit në Aeroportin e Rinasit.
Kreu i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, thekson se një ngjarja në fjalë është tepër e rëndë dhe përtej imagjinatës, duke vënë në rrezik edhe sigurinë e qytetarëve.
Brumbulli shtoi se përgjegjësia i takon Aeroportit të Rinasit, pasi sipas tij hyrja me makinë deri tek avioni tregon se masat lënë për të dëshiruar.
“Austrian Airlines”: Nuk transferojmë më para nga Rinasi!
Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në aeroportin “Nënë Tereza” ku një grup i armatosur grabiti miliona euro në avionin e linjës Vjenë -Tiranë, ka reaguar edhe kompania ajrore “Austrian Airlines”.
Zëdhënësja e kompanisë së njohur austriake, Tanja Gruber, deklaroi nëpërmjet një njoftimi zyrtar se si masë sigurie do të ndërpriten të gjitha transferimet e mëtejshme të parave me Tiranën.
Grabitja në Rinas, Lleshaj: Koncesionari dështoi
24 orë pas grabitjes së parave në Aeroportin e Rinasit, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një konferencë për shtyp u shpreh se nuk ka funksionuar mekanizmi i sigurisë së koncesionarit.
“ Kompania kineze ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj, për sigurinë fizike”, tha ndër të tjera ministri.
Deputetët socialistë: Të rishikohet koncesioni i Aeroportit të Rinasit
Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj është shprehur për rishikimin e kontratës së koncesioneve, duke nënkuptuar edhe të Rinasit. “Ngjarja ishte shume e rëndë. Ajo tregoi nevojën për rishikim të koncesioneve jo vetëm në aeroportin e Rinasit por edhe në vende të tjera. Ndërsa deputetja Mimi Kodheli tha se cenimi i sigurisë kombëtare është fjalë e madhe dhe në këtë ngjarje, një cenim i tillë nuk u realizua. Edhe Deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj, në një prononcim për mediat, hodhi akuza për mënyrën se si operon kompania koncesionare. Ai theksoi se kompania koncesionare e Rinasit vepron me rregulla të forta për pasagjerët, në një kohë kur nuk siguron dot hapësirën e Aerodromit të Rinasit
Grabitja, Basha: Jemi në emergjencë kombëtare, t’i japim fund regjimit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi grabitjen spektakolare të një dite më parë dhe akuzoi policinë se nuk po bën detyrat e saj. Kryedemokrati tha se policia hedh gaz lotsjellës në shtëpitë e shqiptarëve për t’i prishur ato, por grabitjet si ajo e djeshmja nuk i ndalon dot.
“Dhënia fund e këtij regjimi është sot emergjencë kombëtare”, tha Basha, i cili ftoi qyterarët që të protestojnë më 13 prill papara Kryeministrisë.
Dosjet, lista e 30 zyrtarëve si spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit
Në Shqipëri 30 zyrtarë rezultojnë se kanë një të shkuar të errët, pasi figurojnë si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e regjimit komunist. Shifra del nga raporti i Autoritetit të Dosjeve i paraqitur nga kryetarja Gentiana Sula në Parlament.
Zyrtarë të lartë figurojnë në sistemin e drejtësisë, në polici, diplomaci, në SHISH dhe në disa institucioneve të tjera shtetërore.
Abuzim me tenderat, vihet nën hetim rektori i UBT
Rektori i Universitetit Bujqësor të Kamzës, Bahri Musabelliu, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, për abuzime me tenderat. Musabelliu e dha sot dëshminë e tij për akuzat e ngritura. Hetimi ndaj rektorit Musabelliu ka nisur pas dyshimeve se ai ka përfituar fondet publike për rikonstruksionin e murit rrethues dhe të një porte të universitetit, për të cilat ishte lëvruar një fond prej 640 mijë dollarësh, por që një pjesë e të cilave dyshohet se janë përvetësuar.
Rregullat për plazhet: 2.5 m hapësirë nga vija e parë e çadrave të jetë publik
Qeveria ka vendosur rregulla te reja për vendosjen e çadrave te plazhit nga privatet. Subjektet që lidhin kontrata me për të marrë me qira një hapësirë në plazh për një afat nga 1 deri në 5 vite duhet të respektojnë disa kritere. Mes tyre përfshihet edhe lënia e hapësirave për pushuesit që duan plazh publik. Hapësira nga bregu përpara brezit të parë të çadrave do të jetë 2-7 metra dhe distancat mes çadrave ne linje vertikale me vijën e deti do te jete rreth 3 metra.
Europiani i peshëngritjes, Beqiraj: Briken Calja u nxitua
Peshëngritësi shqiptar Briken Calja është shpallur nënkampion Europe në Batomi të Gjeorgjisë. Calja mori Medalje të Artë në shkëputje, por u ndal në të Argjendtë në shtytje dhe dygarësh. Ish-drejtuesi i Federatës së Peshëngritjes, Gudar Beqiraj, në një intervistë për Gazeta “Si”, u shpreh se Calja mori një rezultat historik, që mund të kishte qenë akoma dhe më i mirë, nëse do kishte qenë i qetë gjatë garës
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.