Mendim

Zhgaravinat e protestës

Çdo protestë ka shprehjet e saj konvencionale të nevojshme. Edhe kjo e opozitës sonë i ka të sajat. Sot militantët protestuesit zhgaravitën me bojë të zezë  fasadën e godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, pjesë e zonës monumentale  të mbrojtur e qendër së  kryeqytetit. Ngjan po njësoj me gjestin që Edi Paloka bëri kur hodhi bojë mbi Kryeministrin gjatë një seance parlamentare: të njollosin Rilindjen me bojën e turpit.

Të dyja aktet sado me ngjyra të forta ta kenë mesazhin vizual mbeten të shëmtuara dhe të dyja nuk zgjidhin asgjë. Kryeministri ndërron kostumin  dhe ministria do të lyej muret. Por pushteti mbetet aty brenda pa ndryshuar ngjyrë, që për të paktën këtë mandat është po mavi.

Mendojmë se ky pushtet ka probleme të mëdha me korrupsionin. Raportet ndërkombëtare e shprehin qartë këtë shqetësim të madh që duhet të jetë shoqëror dhe jo vetëm i opozitës. Kjo duhet të na bëjë vigjilent  ne qytetarëve që në asnjë asnjë rast dhe për asnjë grim t’i japim shansin pushtetit të ketë mundësi të përfitojë më tej nga paratë publike. Duke e ngjyer me bojë ministrinë apo duke thyer si herën  e parë të protestës disa vepra të  artit pranë Kryeministrisë, pushtetit iu dha mundësia që nesër të bëjë një tjetër tender. Të përdor sërish paratë publike për të njejtën punë të kryer më parë. Dhe nëse apriori këto para do të mund të keq përdoren për korrupsionin, atëherë protesta ka ecur kundër rrjedhës frymëzuese së saj, sepse i dha mundësi pushtetit të shëndoshet me tej e jo të dobësohet.  Nga ana tjetër koston e këtij korrupsioni do ta paguaj qytetari, edhe ai që protestoi sot e njollosi me bojë ministrinë. Paratë do të përdoren nga buxheti, arka jonë  e përbashkët dhe sigurisht do të zbriten nga një tjetër destinacion i parashikuar më parë për të mira publike.

Njollosja me bojë është ndoshta forma me pak agresive e  një protestuesi të irrituar, shumë afër një sjelljeje të moderuar, gati- gati “një dhunë paqësore”. Por përveçse shëmton të bukurën nuk arrin asgjë tjetër. Pushtetin jo e jo nuk e rrëzon, sepse pushteti nuk rrëzohet me zhgaravina, por me bukurinë e  forcës se protestës dhe argumentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë