Vera erdhi she shumë njerëz janë në sfidë më vetvetën për të hequr disa kile të tepërta , në mënyrë që ata të duken sa më fit gjatë pushimeve të tyre në plazh, dhe sigurisht që opsioni më i mirë për të hequr kilet e tepërta, është palestra.
Por duhet të dimë gjithashtu se palestra mund të jetë vendi i duhur jo vetëm për t’u dobësuar e për të mbajtur trupin në formë, por edhe për të krijuar miqësi të reja e për t’u lidhur me persona të tjerë. Për të qenë mirë, e për të përballuar të gjitha ushtrimet duhet bërë një stërvitje e moderuar dhe trupi të mos mbingarkohet, sepse kështu shmanget edhe figura e keqe që mund të bëni para personave të tjerë të cilët ndodhen aty.
Rregulli i parë që duhet të keni parasysh është: përdorimi i deodorandit. Kur shkoni në palestër, pjesa e higjienës është shumë e rëndësishme, para dhe pas stërvitjes. Duke u lyer me parfum ose deodorand largoni aromat e pakëndshme që lëshon djersa dhe trupi. Ky është një faktor që duhet pasur parasysh gjatë gjithë kohës, por sidomos në verë. Kjo nuk do të thotë që duhet ta lini pas dore në dimër.
Përveç kësaj, ekspertët këshillojnë që kur shkoni në palestër të jeni të depiluar, sepse në këtë mënyrë djersini më pak. Gjithashtu duhet të pini shumë ujë, në mënyrë që të mos dehidratoheni dhe të nxirrni jashtë gjithë toksinat. Duhet të bëni kujdes edhe me zgjedhjen e rrobave. Në qoftë se doni të dukeni më seksi duhet të vishni rroba të ngushta, por nuk duhet ta teproni me ushtrimet, sepse rrobat e ngushta ndikojnë në djersitje, krijojnë njolla dhe duke qenë prej materiali sintetik mbajnë erë të keqe.
Nëse keni plagë ose gërvishtje, duhet t’i mbuloni me leukoplast ose t’i fashoni. Kjo jo për çështje estetike, por për të shmangur prekjen nga bakteret. Për sa u përket aksesorëve, më e rëndësishmja është një orë e cila tregon frekuencën kardiake, në mënyrë që të mbani nën kontroll rrahjet e zemrës. Sot, falë zhvillimit të teknologjisë ka aplikime të ndryshme që shkarkohen në telefon, të cilat mund t’ju ndihmojnë në ushtrimet që bëni. Në pamundësi për të frekuentuar një palestër, këto ushtrime mund t’i bëni edhe në shtëpi, mjafton të keni programin në telefon.
Gjërat që duhen shmangur
Të bësh stërvitje do të thotë të shkon në palestër me rrobat e duhura. Kjo nuk nënkupton vetëm pamjen e jashtme, apo të vishesh sipas modës, por të zgjedhësh rrobat e duhura për të bërë aktivitet fizik. Kur shkon në palestër, ose bën vrap duhet të kesh atletet, reçipetat, tutat dhe kanotieren e duhur. Në qoftë se merreni me sport, duhet t’i kushtoni shumë rëndësi veshjes. Mos kërkoni që të bini në sy, sepse shëndeti vjen i pari.
Por le të shohim cilat gjëra duhen shmangur. E para dhe më e rëndësishmja: në palestër shkohet me atlete dhe jo këpucë. Atletet duhet të jenë të pastra, komode dhe praktike. Për sa i përket higjienës, ju këshillojmë që sa herë të mbaroni stërvitjen t’i lini për t’u ajrosur, në mënyrë që të shmangni erën e keqe. Dhe në fund: asnjëherë mos mbani bizhuteri gjatë stërvitjes. Pavarësisht se doni të dukeni bukur në syrin e të tjerëve, duhet të shmangni gjërat e rënda që kushtëzojnë lëvizjen dhe bërjen e ushtrimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.