Ekonomi

Kthesa e Bankave Qendrore: Ç’do ndodhë me normat bazë të interesit në 2019?

Banka e Shqipërisë do të vendoste në muajin dhjetor të mbante në të njëtin nivel normën bazë të interesit në 1%. Guvernatori Gent Sejko do tw thoshte pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës së BSH-së, se norma bazë e interesit nuk do të rritet para tremujorit të dytë të vitit 2019, duke parashikuar se rritja ekonomike do tw rriste ritmet pas kësaj periudhe.
Gjë që e konfirmoi dhe mbledhja më e fundit e Këshillit Mbikqyrës i cili ruajti të njëjtën normë bazë të interesit.

Sipas tij ,ekonomia është rritur edhe në gjysmën e dytë të 2018-s, por ka qenë ulja e prodhimit të energjisë elektrike që ka ndikuar në ngadalësimin e saj dhe që do të vazhdojë të ndikojë edhe në gjysmën e dytë të vitit.
Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia të vazhdojë të rritet me ritme më të shpejta në 2020-ën, kur janë edhe parashikimet afatmesme për arritjen e objektivit të inflacionit në 3 %.
Por një tjetër panoramë vërehet në arenën ndërkombëtare, ku disa prej ekonomive të rëndësishme janë ngadalësuar dhe politika monetare ka reduktuar stimujt e saj në termat e interesave.

Dymbëdhjetë muaj më parë universi i bankave qendrore dukej të kishte marrë një drejtim të mirëpërcaktuar drejt një reduktimi të stimulit monetar që në vitet e mëparshme kishte shërbyer për të tejkaluar krizën financiare. Dhe në fakt gjatë 2018-ës lëvizjet për rritjen e normave të interesit kanë tejkaluar për nga sasia ato në ulje (nga 87 në 46), për të parën herë pas shumë kohësh. Ngjante një tendencë e destinuar për të vazhduar, por 50 ditët e para të 2019-ës tregojnë një kthesë të vendosur: përsëri 8 lëvizje shtrënguese kundër 4 kufizimeve. Sigurisht, bëhet fjalë ende për të dhëna të pjesshme, për më tepër të lidhura me banka “inferiore”, por ndryshimi i drejtimit shfaqet evident, përpara fakteve, në gojëdhënat e sjelljet e bankierëve të ndryshëm qendrorë.

Nisim me Rezervën Federale: në dhjetor kur Banka Qendrore e SHBA-ve veproi me rritjen e katërt që pritej në 2018-ën, vetë bankierët e Washington parashikonin dy “shtrëngime” të mëtejshme gjatë këtij viti. Megjithatë në janar Jerome Powell korrigjoi veprimin, duke bërë të kuptohej se në 2019-ën vështirë se do të ndodhin rritje të mëtejshme. Në teori presidenti i Fed kishte kërkuar “durim”, duke vërejtur që “rritja është ngadalësuar në disa ekonomi të mëdha ndërkombëtare”, e ka mbështetur që vendimet e ardhshme “do të vareshin tërësisht nga të dhënat”, por tani është vetë tregu që hipotetizon vërtet një hap mbrapa: që do të thotë një shkurtim interesash që për momentin janë mes 2,25% dhe 2,5 %.

Dyshimet e Draghit

E njëjta situatë edhe në Europë, ku megjithatë kostoja e parasë është ende zero: mendohej që Mario Draghi do të mund të linte presidencën e Bankës Qendrore Europiane në nëntor me të paktën një ngritje të interesave, por tani, falë ngadalësimit të papritur (të paktën në proporcion) të rimëkëmbjes ekonomike, shumica e analistëve duken skeptikë.
E nëse objektivisht është e vështirë (nëse jo për gjë tjetër, por për motive teknike) rivendosja e blerjeve të aktiveve që sapo përfundoi në fund të vitit 2018, të paktën supozohet se operacionet e rifinancimit me një normë të subvencionuar do të kenë për qëllim dhënien e huave për klientët, duke marrë parasysh se çfarë do të diskutohet në takimin e ardhshëm më 7 mars, siç u konfirmua nga ekonomisti kryesor i BQE, Peter Praet.
Duke arsyetuar në terma më të përgjithshëm, Peter Botoucharov, Sovereign Analyst Fixed Income i T. Rowe Price, konfirmon që “jemi në një situatë në të cilën bankat qendrore duhet të jenë shumë të kujdesshme: nuk kanë mundësinë të rrisin normat e interesit e, në të kundërt, dikush do të nisë të mendojë që duhet sërish të ulet kostoja e parasë, ashtu si në javët e fundit. Siç ndodhi për shembull në Indi dhe Egjipt e siç mund të ndodhë shumë shpejt edhe në Turqi”.

Pak lëvizje tek interesat, por kujdes bilancet e Bankave Qendrore

Ky kujdes në politikën monetare, që në terma anglosaksone përkufizohet shalloë rate hiking cycle dhe që mund të përmblidhet në një lloj “lundrimi vizual ose në ujë të cekët”, duket i destinuar të përkthehet në më pak lëvizje nga institutet qendrore. Krahasimisht me 133 parjet në 2018-ën “këtë vit veprimet mbi interesat do të tkurren ndjeshëm, ndoshta edhe 50% fatkeqësisht”, vëren Botoucharov, që i jep një paralajmërim tregjeve: “Në muajt e ardhshëm – mbështet analisti – do të kemi një luhatshmëri më të theksuar pikërisht sepse nuk kemi sigurinë se cilin drejtim do të marrin Bankat Qendrore”.

Vëmendja rrezikon të spostohet nga niveli i interesave në atë të bilanceve; pse të mos blej më shumë obligacione në treg – thekson Botoucharov – është një formë e shtrëngimit monetar, në gjendje që të ndikojë në trendin e indekseve”.

Norma bazë e interesit është norma e interesit që Banka e (Shqipërisë në rastin tonë) vendos si objektiv për transaksionet e saj me bankat tregtare. Thënë më thjeshtë, është norma që Banka Qendrore paguan për depozitat e bankave tregtare ose që u ofron bankave për kreditë afatshkurtra.

Duke ndryshuar normën bazë, banka ndikon të gjitha normat e interesit në treg, në mënyrë që të krijojë kushte për të garantuar sasinë e kërkesës dhe ofertës së ekonomisë për mallra dhe shërbime të balancuar në një nivel që prodhon çmime që ndryshojnë afër objektivit të inflacionit të bankës prej 3%.

Kur norma e interesit ngrihet, investimet bëhen më të kushtueshme dhe vlera e kursimit rritet. Kjo ndodh kryesisht kur Banka mendon se ekonomia po tejnxehet – kur ajo po ecën me ritme më të shpejta se ato të ekuilibrit.

Kur Banka e ul normën e interesit, shpenzimet inkurajohen, pasi normat e interesit për depozita dhe kredi ulen, duke nxitur investimet dhe shpenzimet. Kjo ndodh kryesisht kur Banka mendon se ekonomia po ecën më ngadalë se ritmi i vet i ekuilibrit.

Buxheti 2019 ka parashikuar rritjen ekonomike 4,3 %. Kurse në ditët e para të janarit 2019 Banka Botwrore deklaroi se parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipwrisë shkonin në 3,6 %, kurse sipas FMN-së rritja gjatw 2019-ës do të jetë 3,7 %.

Duke pasur parasysh panoramën ekonomike botërore, e cila me domosdo edhe sipas organizmave ndërkombëtarë do të ndikojë vendin, nuk dihet ende, nëse Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë pas tremujorit të dytë të këtij vit, do të vendosë rritjen e normave bazë të interesit.

Përgatiti: Sabina Veizaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë