Sociale

Vdes 72-vjeçarja. Shkon në 23 numri i viktimave. Kurba vijon të zbutet

Një paciente 72-vjeçare nga Tirana, me inicialet V.S., ka ndërruar jetë pasditen e sotme në Spitalin Infektiv në QSUT, e konfirmuar me Covid-19. E moshuara ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në terapi intensive prej disa ditësh, ndërsa gjendja e saj është rënduar së tepërmi gjatë ditës së sotme, kur edhe është intubuar, por pavarësisht trajtimit mjekësor dhe përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur të mbijetojë.
72-vjeçarja vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruse: insuficenca renale kronike, hipertensioni dhe hipotiroidizëm. E moshuara është viktima e 23 me Covid-19 në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më herët gjatë ditës kishte njoftuar se numrit të personave të prekur nga COVID-19 iu shtuan në 24 vetëm 9 raste të reja, duke e çuar kështu në total në 409. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se pjesa më e madhe e të prekurve janë meshkuj (rreth 53%).

Daja deklaroi më tej se  11 pacientë janë shëruar, duke e çuar kështu numrin e të shëruarve në 165.

“Në shërbimin Infektiv aktualisht janë 52 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej. 5 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 58 pacientë,” shprehet Daja.

Ajo theksoi gjithashtu se harta e të prekurve është shtuar në Tiranë  me 6 raste dhe Elbasan me tre raste, ndërsa shpërndarja gjeografike në total vijon.

- Tiranë 196 raste

- Durrës 38 raste

- Lushnjë 5 raste

- Elbasan 15 raste

- Fier 32 raste

- Kavajë 8 raste

- Rrogozhinë 4 raste

- Korçë 17 raste

- Vlorë 5 raste

- Shkodër 45 raste

- Lezhë 14 raste

- Berat 2 rast

- Has 12 raste

- Krujë 5 raste

-Tropojë 4 raste

- Pukë 4 raste

- Mirditë 3 raste

Ashtu si ekspertët e tjerë, Daja i’u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat e distancimit social, kryesisht vizitat tek të afërmit. Gjithashtu bëri me dije  për qytetarët  numrat e kontaktit nëse kanë nevojë për informacion(0800 40 40) apo nëse kanë shenja të sëmundjes(127).  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë