Sociale

9 raste të reja me Covid-19 në 24 orët e fundit dhe 19 të shëruar

Shqipëria  ka konfirmuar sot edhe 9 raste të reja me Covid-19, duke e çuar numrin e të infektuarve në 548 raste.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se në 24 orët e fundit janë testuar 231 persona të dyshuar si bartës të virusit, ose të sëmurë me COVID-19.

Nga rastet e reja 5 i përkasin Kurbinit, 2 raste në Kukës, 1 rast në Tiranë, 1 rast në Fier. Deri në këto momente janë testuar 5311 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19 rreth 10% e të gjithë të testuarve.

Në njoftimin e saj, Ministria thekson se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 19 pacientë të tjerë, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 302. Prej disa ditësh, numri i të shëruarve brenda 24 orëve në vendin tonë është më i lartë se ai rasteve te reja.

“Aktualisht në vendin tonë janë 220 persona të infektuar aktivë, numri i të shëruarve është më i lartë, dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje që prej 7 ditësh. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 35 të shtruar, 7 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar, 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 prej tyre janë në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 43 pacientë”, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Ajo thekson se vatra e infeksionit që nisi në fasonerinë e Krujës është zgjeruar. Pesë rasteve të deritanishme u shtohen edhe 5 të tjera në Kurbin. Të prekurat janë gra, që u infektuan në fasonerinë ku deri tani janë prekur edhe 3 gra të tjera nga Kruja dhe 2 nga Kurbini.

Sot janë zyrtaruar edhe dy rastet e reja në Kukës, ku të infektuarit janë familjarë të infermierit që rezultoi me COVID të martën. Më herët infermieri infektoi 4 familjarë dhe një koleg i tij, që rezultuan pozitiv me koronavirus.

Në Fier nga ana tjetër, numri i të infektuarve ka shkuar në 36 bashkë me një person që ka rezultuar pozitiv sot. Personi i dalë pozitiv, është familjar me 3 pacientët që rezultuan të prekur nga Covid 19 dy ditë më parë ku nga 5 mostra e reja të marra, 1 prej tyre doli i prekur. Të gjithë pjesëtarët e familjes dhe personat e kontaktit ndodhen tashmë në karantinë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
- Tiranë            246 raste
- Durrës            42 raste
- Lushnje          6 raste
- Elbasan          16 raste
- Fier                 36 raste
- Kavajë            9 raste
- Rrogozhinë     4 raste
- Korçë             19 raste
- Vlorë              5 raste
- Shkodër          94 raste
- Lezhë             14 raste
- Berat              2 rast
- Has                13 raste
- Krujë              11 raste
-Tropojë           4 raste
- Pukë               5 raste
- Mirditë           3 raste
- Kukës           11 rast
-Mallakastër    1 rast
- Kurbin          7 raste


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë