Sociale

9 raste të reja me Covid-19, 15 të shtruar në spitalin Infektiv

Përgjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 9 raste të reja me Covid-19. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik,  bën me dije se në total numri i të prekurve është 999 dhe 79% prej tyre janë të shëruar, ndërsa vijon të tregojë se gjendja epidemiologjike është e  qëndrueshme. Më tej shtoi se në Shqipëri, janë 177 persona aktiv me Covid-19. Mësohet se rastet e reja janë zbuluar në: 5 raste në Tiranë, 3 në Durrës dhe 1 në Shkodër. Të shëruar janë 6 qytetarë.

Ka shkuar në 32 numri i viktimave nga Covid-19 në vendin tonë.  Në spitalin infektiv ka ndërruar jete mbrëmjen e së shtunës një 64-vjeçare e cila prej 3 javësh ishte e shtruar dhe vuante nga limfoma e trurit.

“Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 999 qytetarë. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar. Pas më shumë se 3 javësh pa humbje jete nga COVID19, gjatë mbrëmjes së kaluar ka ndërruar jetë një 64-vjeçare nga Tirana, e cila vuante nga limfoma e trurit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fatkeqësisht 64-vjeçarja nuk ja doli të mbijetojë.

Pavarësisht se ka pasur pacientë që kanë lënë spitalin infektiv të shëruar, aktualisht po trajtohen 15 pacientë, ndërsa 4 prej tyre janë në terapi intensive. Në vendin tonë aktualisht janë 177 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër. Deri tani janë mbi 14.000 testime serologjike në personel shëndetësor dhe pacientë, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 8%”- shpjegoi Dervishi.

Si çdo ditë edhe ekspertja Dervishi bëri thirrje për qytetarët që të kenë kujdes dhe të respektojnë masat e vendosura. Ajo shpjegoi se nëse keni shenja të Covid-19 duhet të telefononi në numrin unik 127, ndërsa nëse keni nevojë për informacion të telefononi në numrin 0800 40 40.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 60 raste

Durrës 53 raste

Krujë 27 raste

Shkodër 11 raste

Berat 10 raste

Kamëz 9 raste

Fier 4 raste

Elbasan 1 rast

Mirditë 1 rast

Korçë 1 rast


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë