Sociale

85 vjeçarja viktima e 7 nga COVID-19 në Shqipëri, vuante nga sëmundje kronike

Shënohet viktima e 7 nga koronavirusi i ri. Pacientja 85 vjeçare ka arritur pasditen e sotme në gjendje të rëndë, në Spitalin Infektiv në Tiranë. Bëhet me dije se e moshuara vuante nga disa sëmundje kronike.

Ministria e Shëndetësisë vazhdon t’i bëjë thirrje qytetarëve të jenë shumë të kujdesshëm në rast të shfaqjes së shenjave të sëmundjes dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare në numrin 127!

Gjatë ditës të dhënat zyrtare kanë treguar se rastet e prekura nga COVID-19 po shtohen në vendin tonë. Vetëm 24 orët e kaluara janë shtuar 28 raste të reja duke e çuar kështu numrin në 174 persona të prekur.

Eugena Tomini nga ISHP deklaroi se në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar, ndërsa harta e të prekurve nga COVID-19, u shtri edhe në Tropojë dhe u zgjerua në qytetet Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Lezhë, Elbasan, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik i hollësishëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë