Sociale

Covid-19/ 8 të vdekur. Gjithsej 186 të prekur, 31 të shëruar

Numri i viktimave nga COVID-19 në vendin tonë, ka arritur në 8. Gjatë orëve të fundit janë shënuar edhe dy viktima të tjera, një 85 vjeçare nga Tirana dhe një 66 vjeçar nga Fieri. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico ka deklaruar se përgjatë 24 orëve janë konfirmuar pozitivë edhe 12 raste të reja nga 102 testime të kryera dhe numri total i të prekurve në vendin tonë është 186 raste.
Fico ka bërë me dije gjithashtu se në total janë 31 të shëruar, ndërmjet tyre një mjek dhe një infermier.
“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 77 të shtruar dhe prej tyre 5 janë në terapi intensive. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Pukë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Shkodër dhe Durrës, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit,” ka deklaruar Fico.
Ndërsa shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive vijon si më poshtë:

  • Tiranë 107 raste
  • Durrës 11 raste
  • Lushnjë 4 raste
  • Elbasan 5 raste
  • Rrogozhinë 2 raste
  • Fier 20 raste
  • Kavajë 4 raste
  • Korçë 12 raste
  • Vlorë 5 raste
  • Shkodër 4 raste
  • Lezhë 4 rast
  • Berat 1 rast
  • Has 2 raste
  • Krujë 1 rast
  • Tropojë 2 raste
  • Pukë 2 raste.

Ndër të tjera, Fico ka përsëritur thirrjen për qytetarët se nuk duhet të shkojnë menjëherë në spital. Për çdo informacion që kërkojnë të telefonojnë numrin 0800 40 40, ndërsa nëse kanë shenja të sëmundjes të marrin numrin unik të 127.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë