Sociale

Rreth 50 gra e fëmijë shqiptarë rikthehen nga Siria sonte

Rreth 50 gra dhe fëmijë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut pritet që të rikthehen në shtëpitë e tyre shumë shpejt.

Bedri Elezi, Drejtori i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Kosovë thotë për gazetën “Si” se aktualisht gratë dhe fëmijët ndodhen në Liban dhe së shpejti pritet që të fluturojnë për në Shqipëri.

Bashkë me gratë dhe fëmijët që janë shtetas të Shqipërisë do të udhëtojnë edhe pjesa e tyre që janë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

“Sipas informacioneve që kemi pritet që shumë shpejt të kthehen rreth 50 Gra dhe Fëmijë nga kampi Al Haël në Siri. Aktualisht këta gra dhe fëmijë janë në Liban dhe së shpejti pritet që të kthehen në Shqipëri. Së bashku më keta gra dhe fëmijë do të udhëtojnë edhe disa gra e fëmijë nga Kosova e Maqedonia. Aktualisht ata gjendën në Liban dhe sonte pritet të fluturojnë drejtë Tiranës”, thotë për gazetën “Si”, Bedri Elezi.

Elezi thotë për gazetën “Si” se aktualisht dyshohet se në kamp ka mbetur Eva Dumani dhe familja e Almir Dacit.          

“Operacioni është duke u realizuar nga Kryqi Kuq Sirian, mbështetur nga Autoritetet Kurde dhe atyre Libaneze dhe ai është në zhvillim e sipër”, thotë Elezi.

Prej vitesh Bedri Elezi ka punuar për ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe autoriteteve shtetërore në Shqipëri dhe Kosovë për nevojën e kthimit të familjeve shqiptare nga kampi i Al Haël-it. Drejtori i studimeve të sigurisë në Institutin për Studime Ndërkombëtare në Kosovë ka treguar se në vitin 2017 instituti kontaktoi me gjashtë gra dhe 21 fëmijë shqiptarë, të cilët donin të ktheheshin në Kosovë, por nuk pati asnjë zgjidhje nga qeveritë.

Më herët ai ka zbuluar për Gazetën “Si” se në kampin e ruajtur nga kurdët në Veri të Sirisë, ku ishte bllokuar edhe Alvini Berisha qëndronin të strehuar rreth 53 fëmijë dhe gra nga Shqipëria, të cilët presin mes dëshpërimit të kthehen në vendin e tyre.

“Gjithsej në Kampin Al Hol janë 144 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi”, i thotë ai gazetës gjatë një interviste në nëntorin e vitit të kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë