Sociale

7 policë të Kosovës të infektuar me Covid-19

Policët e Kosovës që nga fillimi i pandemisë Covid-19 kanë punuar me orar të zgjatur, me qëllim të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore, si dhe zbatimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Që nga shfaqja e rastit të parë me koronavirus në Kosovë e deri tani, shtatë zyrtarë policorë janë infektuar me Covid-19. Policia e Kosovës ka konfirmuar se që të shtatë zyrtarët policorë janë në vetizolim.
“Deri më tani janë 7 raste që zyrtarët policorë kanë rezultuar pozitivë me virus. Një rast në Malishevë, zyrtari ka qenë i liruar nga puna, në pushim, si rast i veçantë shëndetësor dhe nuk ka pasur kontakt me ndonjë zyrtar policor (gjendet në vetëkarantinë). Një rast në rajonin e Prishtinës, vizitë studimore në Londër dhe falë viogjilencës dhe komunikimit me autoritetet shëndetësore është vendosur menjëherë në vetëkarantinë, duke mos rrezikuar aspak të tjerët, (gjendet në vetëkarantinë). Pesë raste në veri të Mitrovicës - zyrtarët janë duke u monitoruar (gjenden në karantinë)”, tha policia e Kosovës.
Policia ka deklaruar se zyrtarët policorë janë në gjendje të qëndrueshme dhe të vetizoluar.
“Disa zyrtarëve u është sugjeruar vetizolimi apo e dhe izolimi i detyruar nga ekipet mjekësore nëpër pikat kufitare, (pas ardhjes së tyre nga vende të ndryshme, si Zvicra, Londra, Serbia, Amerika, Gjermania etj.), ku tani numri më i madh i tyre është liruar nga vetizolimi. Çdonjëri prej tyre ka udhëzimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe nga ekipet mjekësore”, ka deklaruar policia.
Sipas policisë, përsa u përket zyrtarëve të tjerë policorë me sëmundje bashkëshoqëruese si: diabet, sëmundje malinje, sëmundje të zemrës, të sistemit respirator etj., asnjeri nuk është prekur nga Covid-19, sepse DSHSH i ka përkrahur, duke u rekomanduar qëndrim në shtëpi. “Një numër i zyrtarëve policorë, të cilët kanë sëmundje të rënda dhe një pjesë e stafit civil janë liruar, ndërsa një pjesë e tyre, sipas nevojës, kryejnë detyra administrative përmes pajisjeve elektronike”, nënvizoi Policia./Zëri


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë