Futboll

600 mln euro shpenzime 3 vitet e fundit, por Guardiola s’i kalon çerekfinalet

Tjetër dështim i Pep Guardiolës në Championas League. Edhe këtë herë skuadra e tij është kthyer në shtëpi, duke mos qenë në gjendje të futet në 4-shen më të mirë të Europës. Fitimi i Championsit i mungon Guardiolës që prej vitit 2011, kur triumfonte me Barcelonën ndaj Mançester Junajtid në “Wembley”, ndërsa gjysmëfinalja e fundit e tij i përket kohës kur drejtonte Bajernin e Mynihut. Në të tre sezonet që drejtoi ekipin e madh gjerman, Guardiola është ndalur një hap larg finales dhe në të tre rastet nga kundërshtarë spanjollë: nga Real Madrid në 2014-ën, nga Barcelona në 2015-ën dhe nga Atletiko Madrid në 2016-ën.

Gjatë tre viteve që është në krye të Mançester Sitit, Guardiola nuk ka mundur kurrë të kalojë fazën çerekfinale, pavarësisht përforcimeve të bujshme që ka bërë, që kapin vlerën totale të 600 milionë eurove. Pas eliminimit nga Monako në fazën e 1/8-ve në vitin e parë te Mançester Siti, e njëjta gjë i ndodhi edhe sezonin e shkuar me Liverpulin, ndërsa këtë sezon aventura e trajnerit katalanas në Champions u ndërpre në çerekfinale nga Totenhemi. Mund të jetë e vërtetë ajo që trajneri ka thënë ditët e fundit, kur ka theksuar se Mançester Siti nuk e ka marrë për të fituar patjetër Championsin, por ai mal me euro i shpenzuar do të thotë se pronarët nga Katari presin më shumë se çerekfinalet.

Pep Guardiola

Guardiola është shfaqur mjaft nervoz pas eliminimit nga Totenhemi dhe ka akuzuar teknologjinë, duke pretenduar se goli i tretë i kundërshtarit ishte i parregullt: "Jam shumë krenar për reagimin e tifozërisë sonë. Jemi shumë të trishtuar për tifozët më shumë se për veten, por duhet të ecim përpara. Futbolli është gjithmonë i paparashikueshëm. Unë vazhdoj ta mbështes VAR-in, por jemi jashtë Championsit për një gabim të qartë. Jemi eliminuar nga një gol i shënuar me dorë, sepse ajo që bëri Lorente është një gol që shihet vetëm në hendboll”, - tha trajneri spanjoll pas ndeshjes me Totenhemin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë