Njerez

60 vitet e Ançelotit, fituesit të thjeshtë dhe “fshatarit” babaxhan

Maestro Karlo Ançeloti mbush sot 60 vjeç dhe në këtë përvjetor jubilar vjen i shoqëruar nga dy miqtë e tij më të mirë të udhëtimit në jetë: ngadalësia dhe bonsensi. Duket një paradoks, por në kulturën e fshatit, ku ai ka lindur, ka një proverb që thotë: “kush ecën ngadalë, shkon larg”. Dhe Karleto, i lidhur shumë fort me rrënjët e tij, e ka respektuar këtë thënie: nuk ka nxituar kurrë, ia ka lënë gjithçka kohës, pa dashur të dominojë dhe tani është ende në skenën e më të mëdhenjve, duke shijuar bukurinë e momentit.

Në shtëpinë e tij në Vankuver, në Kanada – gjithmonë në kontakt me drejtuesit e Napolit dhe presidentin De Laurentis, sepse kjo është sfida e re që kërkon të fitojë, – është e paevitueshme të mendosh për udhëtimin e gjatë që nga fshati Rexholo e ka sjellë deri këtu. Karriera si futbollist, si trajner më pas, triumfet dhe momentet e hidhura. Gjithçka duhet kujtuar, sepse është jetë dhe nga jeta nuk hidhet poshtë asgjë, edhe dhimbjet.

Karlo Ançeloti, kur luante me Romën, nën vëzhgimin e Nils Liedholm

Tre janë pikat që shënojnë karrierën e tij si futbollist: Parma, Roma dhe Milano. Me fanellën e Parmës u bë i njohur dhe bindi një “shenjtor” si Nils Liedholm, të cilit, për ta marrë te Roma, iu desh të diskutonte shumë gjatë me mamanë Çeçilia, sepse ajo nuk donte ta linte djalin e saj të shkonte në një qytet të madh. Liedholm për Ançelotin nuk u bë vetëm një maestro futbolli, por edhe një pikë referimi jashtë fushës: ironia dhe urtësia e “Baronit” janë si një lëkurë e dytë për atë që e interpreton rolin e liderit të grupit pa harruar kurrë qetësinë dhe ekuilibrin. Te Milani, në verën e 1987-ës kaloi me kërkesën e Arrigo Sakit, pavarësisht se Berluskoni ishte skeptik për gjunjët e mesfushorit, që sipas tij, kërcisnin. “E rëndësishme është të mos i kërcasë koka”, - shprehej Saki, trajneri i atij Milani fantastik. Së bashku pushtuan botën dhe raporti vazhdoi edhe kur Ançeloti mendoi se kishte ardhur momenti të tentonte një aventurë të re.

Ançeloti duke u përqafuar me Gatuzon, ish-lojtarin e tij te Milani

Karlo u bë asistenti i Sakit në kombëtaren e Italisë në Botërorin e 1994-ës dhe më pas provoi të “fluturonte” i vetëm. Rexhana që u ngjit në Serinë A në vitin 1996, Parma që u rendit e dyta në vitin 1997, Juventusi ku nuk e pritën me “tapet të kuq”… Avokati Anjeli e çmonte, doktor Umberto çik më pak dhe pas dy kampionatesh të mbyllur në vend të dytë, pavarësisht se sapo kishte rinovuar, u largua nga Juventusi. Por Ançeloti trajner, ai që me kalimin e viteve u bë një simbol i suksesit në Europë, lindi në Milanelo, ku qëndroi nga vjeshta e 2001-shit deri në pranverën e 2009-ës. Aty ishte si në familjen e tij, me Galianin që e mbronte gjithmonë dhe me Berluskonin që e ngacmonte: studioi, mësoi, u përball dhe fitoi. Mes trofeve të shumtë janë një titull dhe dy Champions, para se të vendoste për hapin e madh.

Ançeloti dhe ish-kapiteni i Milanit, Maldini, me trofeun e Championsit në duar

Do të niste aventurën jashtë Italisë ai që vinte nga fshati dhe që gjuhët e huaja i mësonte me lehtësi. Edhe në këtë rast i mahniti të gjithë: te Çelsi, PSG, Real Madrid, Bajern Mynih, kudo shtoi në palmaresin e klubit të paktën edhe një trofe. Një herë, kur dikush e pyeti se cili ishte sekreti i suksesit të tij, Ançeloti u përgjigj: “Unë përpiqem të mësoj, të tjerat i bëjnë futbollisttë, të cilët janë motori i vërtetë i futbollit”. Gjithmonë një hap prapa, gjithmonë gati për të qëndruar në hije dhe për t’ua lënë skenën djemve të tij. Për këtë arsye, askush, nga Maldini te Gatuzo, nga Ronaldo te Modriç, nuk ka pasur asgjë për të thënë kundër tij. Të gjithë sot do t’i dërgojnë mesazhe urimi. Ai, si një qejfli i deklaruar ushqimi dhe vere, do të festojë sipas mënyrës së tij, në tavolinë. Është vendi i vetëm, ku për Karlo Ançelotin nuk ekziston serioziteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë