Atletike

500 mln USD për viktimat e një monstre

Universiteti Shtetëror i Miçiganit ra dakort që t’u paguajë gjysmë miliardi dollarë viktimave që janë abuzuar seksualisht nga ish-mjeku i skuadrës së atletikës në këtë institucion, Larry Nassar.

Marrëveshja është njoftuar nga një zyrë ligjore në Kaliforni, e cila përfaqëson 332 viktimat e Nassar. Akuzat ndaj tij u provuan në gjykatë, sipas të cilës Nassar shfrytëzonte pozicionin si mjek i sportisteve, kryesisht gjimnasteve të këtij universiteti për t’i abuzuar e ngacmuar seksualisht, nën justifikimin e “trajtimit mjekësor”.

Zyra ligjore thotë se marrëveshja e arritur është kolektive dhe nuk përfshin paktet individuale që viktimat e Nassar mund të kenë arritur vetë me Universitetin Shtetëror të Miçiganit, apo përfaqësuesit ligjorë të Nassar.

Nën kushtet e termat e kësaj ujdie, 425 milionë dollarë do t’u shpërndahen 332 viktimave që kanë denoncuar ish-mjekun e skuadrës olimpike amerikane dhe 75 të tjera do të ruhen në gjendje nga universiteti për të dëmshpërblyer viktima të tjera që mund të dalin në dritë në të ardhmen.

“Kjo marrëveshje historike u mundësua falë guximit të mbi 300 grave e vajzave që denoncuan dhe refuzuan heshtjen”, tha avokati i viktimave, John Manley.

Reagime pati edhe nga bordi drejtues i universitetit.

“U kërkojmë ndjesë viktimave dhe familjeve të tyre për ato çfarë kanë kaluar! Admirojmë guximin e treguar për të mos heshtur dhe treguar historitë e tyre. Jemi të vetëdijshëm për ndryshimet që duhet të ndërmarrim në institucionin tonë dhe në komunitet për të parandaluar sulmet seksuale në të ardhmen”, u shpreh kreu i këtij bordi, Brian Breslin.

Përgjegjësia institucionale

Shumë prej viktimave që denoncuan ish-mjekun nuk kishin grumbulluar zemërim vetëm kundër tij dhe atyre që kishin vuajtur prej duarve të tij, por shpërthyen edhe ndaj institucioneve universitare, duke i akuzuar se “i kishin krijuar kushtet Larry Nassar që të abuzonte me to”.

Larry Nassar është dënuar me 175 vite burg për abuzime seksuale me atletet, të cilat duhet të mjekonte dhe 60 vite të tjera për pornografi me të mitur.

Larry Nassar punonte prej dekadash si mjek në Universitetin e Miçiganit dhe ndër vite shumë prej viktimave ishin ankuar në administratën e institucionit, por ankesat e tyre ishin injoruar.

Marrëveshja vetë tregon se universiteti është në dijeni që mund të kishte bërë më shumë për ta parandaluar monstrën, por për Rachel Denhollander, gruaja e parë që doli në publik për të treguar historinë e vet, thotë se ka ende shumë për t’u bërë.

Ajo e vlerëson marrëveshjen dhe shumën e vendosur nga universiteti për viktimat, por shprehet e zhgënjyer për mundësinë e humbur që vetë ky institucion të reformohet. Për shumicën e grave që dëshmuan në procesin gjyqësor të vitit të kaluar, nuk kishte rëndësi vetëm drejtësia për veten e tyre, por edhe për të rregulluar mënyrën sesi institucionet funksionojnë dhe gishti u drejtua edhe nga “USA Gymnastics”.

Në dorë të kësaj të fundit është edhe përgatitja dhe mbikëqyrja e skuadrës së gjimnastikës në lojërat olimpike ndërkombëtare. Vitin e kaluar, drejtuesi dhe i gjithë bordi i kësaj trupe u dorëhoq pas daljes së 156 grave që dëshmuan kundër ish-mjekut famëkeq.

54-vjeçari Larry Nassar aktualisht ndodhet në një burg federal dhe gjasat janë që të qëndrojë aty për gjithë pjesën e mbetur të jetës. Ai është dënuar me 175 vite burg për abuzime seksuale me atletet, të cilat duhet të mjekonte dhe 60 vite të tjera për pornografi me të mitur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë