Drejtësia

5 vjet nga reforma në drejtësi, rezultatet dhe vështirësitë. KPK: 155 shkarkime nga detyra

Në të njëjtën ditë, pesë vjet më parë, Kuvendi miratoi reformën në drejtësi me 140 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.

Reforma në drejtësi u shoqërua me ndryshime në Kushtetutë dhe ndryshimin e me shumë se 25 ligjeve organike ose të thjeshta.

Në një raport përmbledhës për çështjen  në fjalë, Instituti i Studimeve Politike nënvizon se ndryshimet kushtetuese dhe ligjore ishin aq të shumta sa asnjë ligj nuk arriti të nxjerrë në kohë aktet nënligjore dhe se midis vetë ligjeve u gjetën nga Gjykata Kushtetuese elementë antikushtetues.

“Konsensusi i gjerë politik për reformën në drejtësi nuk mjaftoi për të jetësuar reformën në kohë: të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, përfshirë organet e vettingut, KLP, KLGJ, KED, ILD, PP, SPAK, GJK, GJL, etj, u krijuan ose u zgjodhën jashtë afatit kushtetues dhe ligjor. Partitë dhe institucionet harxhuan një vit kohë për të miratuar në korrik 2017 organet e vettingut në drejtësi, KPK, KPA dhe IKP. Midis 2018-2020 Shqipëria mbeti pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, midis 2017-2019 u zgjodh një Prokuror i Përgjithshëm i përkohshëm, ndërkohë që institucione si KLP mbetën për një kohë të gjatë pa anëtarë të plotë dhe SPAK u krijua pa numrin e parashikuar të prokurorëve”, thuhet në raportin e ISP.

Sipas ISP, deri më tani si pasojë e vettingut mbi 50% e prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë humbur postet e tyre dhe u larguan nga sistemi.

“Gjatë 3-4 viteve të fundit, ecuria disproporcionale midis daljeve nga sistemi dhe hyrjeve në sistem krijoi hendek në burimet njerëzore duke krijuar efekt domino vakancash në të gjitha nivelet e gjyqësorit dhe të drejtësisë. Premtimi i qeverisë se Shqipëria ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore rezultoi i gabuar dhe vuri në dilemë pritshmëritë e reformës.

Nga ana tjetër, proceset e zgjedhjeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, u shoqëruan me numër të kufizuar kandidatësh cilësor, si dhe me devijim nga standardet e larta kushtetuese në numrin e kandidatëve për vend vakant, në procedura, në lobime dhe në krijimin e precedentit të emërimeve pa vetting”, thuhet në raport.

Mbi 50 çështje janë në pritje për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, mbi 30 mijë mbeten në pritje në Gjykatën e Lartë dhe 2-3 herë më shumë çështje janë në pritje në nivelet e tjera të gjykatave dhe në prokurori.

Megjithatë, reforma në drejtësi mbetet zhvillimi më pozitiv i dekadave të fundit, që pavarësisht vështirësive, në vitin e saj të pestë ajo po jep edhe rezultatet konkrete.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bërë bilancin e procesit të Vettingut. “174 vendime për konfirmimin në detyrë. 155 vendime për shkarkimin nga detyra. 56 vendime për ndërprerje procesi (dorëheqje) 8 vendime për pushimin e procesit. 25 vendime për përfundimin e procesit pa vendim përfundimtar. 3 vendime për pezullimin nga detyra për një periudhë 1-vjecare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë