Sociale

5 viktima dhe 596 raste të reja, Hoti: Kosova drejt mbylljes totale

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti paralajmëron se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh, ndërkohë në 24 orët e fundit u shënuan 5 viktima dhe 596 raste të reja me koronavirus në Kosovë.
“Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte fundjavën e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa.
emi duke i ndjekur protokollet që i kanë zbatuar edhe vendet e tjera, por ne jemi në një situatë më të vështirë për shkak të kapaciteteve të limituara në spitale, për të akomoduar të gjithë ata që kanë nevojë për shërbim spitalor”, tha Hoti.
Sipas tij, për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale. Pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën. Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale”, u shpreh ai.

Bizneset në Kosovë prej ditësh po kundërshtojnë mbylljen totale, duke u shprehur se nuk do të mund të mbijetojnë. Por Hoti thotë se aktualisht prioritet është jeta e qytetarëve, shëndeti publik. “Por gjithashtu, unë besoj që po tregojmë edhe kujdesin e duhur edhe për aktivitetin biznesor, në mënyrë që të kenë mundësi bizneset, qytetarët, njerëzit të mbijetojnë, të sigurojnë të ardhurat e tyre për familje dhe mbijetesë, por mbi të gjitha është shëndeti. Ne po mundohemi të konsultohemi vazhdimisht për masa që i ndërmarrim. Në të njëjtën kohë, me aq sa kemi kapacitete, t’ju ndihmojmë bizneseve gjatë periudhe të vështirë dhe ju kemi ndihmuar jo pak. Deri më tani janë 270 milionë euro që i kemi shpërndarë në forma të ndryshme te bizneset, përfshirë edhe këtë shumën e fundit para dy-tri javësh, prej 60 milionë eurosh që shpërndamë te bizneset bazuar në numrin e punëtorëve. Edhe për vitin e ardhshëm e kemi paraparë Fondin për rimëkëmbje ekonomike. Nuk janë masa që i marrim me dëshirë. Po mundohemi që të balancojmë gjërat në vendimmarrje, por duke e vendosur si prioritet shëndetin publik”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Pesë viktima dhe 596 raste të reja me koronavirus u konfirmuan të martën në Kosovë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se rastet e reja rezultojnë nga testimi i 1,559 mostrave, ndërsa viktimat janë regjistruar: dy në Gjilan, dy në Prizren dhe një në Suharekë. Komuna e Prishtinës ka numrin më të madh të rasteve të reja pozitive: 295.
Instituti tha se në 24-orëshin paraprak, 136 pacientë janë shëruar nga koronavirusi. Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë shkon në 25,388. Prej tyre, 773 pacientë kanë vdekur dhe 16,362 janë shëruar. Raste aktive aktualisht janë 8,253. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë