Politike

40 kompani të interesuara për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano, Rama: Kemi nevojë për partnerë të duhur

“Një projekt strategjik për vendin por edhe rajonin e Europës juglindore” – kështu e konsideroi kryeminstri Edi Rama, projektin për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano. 

Në prezantimin me përfaqësues të rreth 40 kompanive dhe institucioneve financiare ndërkombëtare të interesuara për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano, Rama tha se projekti ka ngjallur mjaft interes.

“Ju siguroj që ne jemi shumë të vetëdijshëm qoftë për paragjykimet me të cilat duhet të përballemi kur është fjala për të hapur ekonominë tonë dhe për të hapur dyert dhe dritaret që të gjithë ata që duan të përfshihen t’i gëzojnë këto mundësi. Dua të ju siguroj se në provën e fakteve do mund ta shihni në vetë të parë, pse i quaj paragjykime dhe jo perceptime të bazuara në realitetin për të patur procese transparente dhe në fund shpërblejnë ato shtylla që i kanë bërë kompanitë tuaja të jenë me kaq shumë zë që janë merita mbi bazën e konkurencës. Për ne ky është një proces i shtrirë në kohë. Vijmë nga një e shkuar që nuk ka qenë bujare me ne dhe 3 dekada përpjekje për një Shqipëri demokratike, moderne.

Eksperienca nuk është në anën tonë, ndaj i jemi referuar ekselencave ndërkombëtare, si kompania holandeze, që po punon me seriozitet korrektesë, kapacitet teknik dhe talent për t’u admiruar. Sigurisht nuk po punojnë falas, holandezët janë sa të zotë edhe të shtrenjtë. Nuk ka të dytë për aftësinë e tyre për të qenë fitues, por në fund të ditës e meritojnë atë që marrin”, deklaroi ai.

Rama tha se megjithëse në fund do të fitojë vetëm njëra prej kompanive, ata do të përjetojnë një eksperiencë unike në Shqipëri dhe herën tjetër do të vijnë me më shumë siguri e respekt për vendin tonë.

Ndërsa ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se ky ky port nuk do t’i shërbejë vetëm vendit tonë, teksa aktualisht, ka dy marrëveshje të lidhura me qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës, për ngritjen e dy porteve të thata, respektivisht në Strugë dhe në Prishtinë.

“Ashtu siç ne e kemi bërë publike, porti i Porto Romanos nuk do t’i shërbejë vetëm Republikës së Shqipërisë, por në momentet që sot flasim, flasim me dy marrëveshje zyrtare të lidhura mes qeverisë shqiptare, Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës, për ngritjen e dy porteve të thata, respektivisht në Strugë dhe në Prishtinë.

Përmes kompleksit të ri portual Durrës-Porto Romano dhe me një autoritet portual që mbikëqyr të dyja portet, edhe portin e marinës së jahteve, edhe portin e ri, një port modern në Porto Romano”, theksoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë