31 vjeçari i konfirmuar mesnatën e kaluar me koronavirus, pas një udhëtimi me avion në Milano, është shprehur sot tejet i shqetësuar për trajtimin e tij në Spitalin e Infektivit në Tiranë.
Në një intervistë me “Ora News”, i riu thotë se asnjë nga mjekët nuk i ka komunikuar atij rezultatet e analizave dhe se e ka kuptuar se është më koronavirus nga një postim i zëvendëskryeministri Erion Brace në Faceboook.
“Kam mbi 36 orë i izoluar. Ka ardhur dje një doktor, më ka marrë analizat dje dhe nuk ka ardhur askush tjetër, vetëm infermierët. Edhe infermierët janë të çuditur e nuk e dinë si ka mundësi që jam i infektuar”, thotë ai.
Po ashtu i riu shprehet i shqetësuar edhe për të afërmit dhe miqtë, për të cilët thotë se nuk i janë bërë ende analizat. Ai tregon se ka pasur kontakte me të paktën 10 persona të afërt, për të cilët ka frikë se mos janë infektuar.
“Kam pasur kontakte me disa persona, me familjarët, me kolegët kam pasur me disa persona prandaj jam i shqetësuar. Janë një numër mbi 10 veta që kanë pasur kontakt me mua. Kur vjen këtu për të bërë tamponin, që kur u dhashë historinë nuk ka ardhur njeri të më pyesi. Neglizhencë totale, nëse unë jam pozitiv, këtu nuk vjen njeri ta konfirmoj. Këto nuk e marrin përsipër thonë nuk kemi të dhëna. Unë prandaj erdha këtu për ta parandaluar. Unë jam top, por më ka kapur paniku. Jam trembur për familjarët e mi nuk po i bëjnë tamponët. Kam takuar shumë miq dhe shokë, kam frikë për ta“, shprehet 31 vjeçari
I riu zbulon se shkoi për pak orë në vatrën e koronavirusit në Itali për të vizituar dajën e tij në spital, por me sa duket kaq mjaftoi për t’u infektuar. 31-vjeçari u shpreh se ishte kthyer nga Milano të martën e kaluar, ndërkohë që të premten kishte shfaqur shenjat e koronavirusit.
31-vjeçari i prekur me koronavirus, po mbahet në izolim prej 36 orësh, por thotë se i është dashur shumë kohë që të shtrohet, pasi sipas tij, autoritetet nuk e pranonin në spital. Ai kishte shkuar fillimisht në një spital privat, ku kishte edhe njerëz të tjerë të pranishëm , me të cilët kishte rënë në kontakt. Përpara se t’i drejtohej spitalit privat, 31-vjeçari ka marrë në telefon 127-ën, por mjekët nga telefoni nuk ia kanë hapur.
Ditën e martë jam kthyer nga Milano, nuk kam qëndruar në Milano kam qëndruar në shtet tjetër. Aty kam zbritur në aeroport dhe kam qëndruar një natë. Kam ikur të hënën në mëngjes dhe jam kthyer të martën në darkë. Kur erdha nuk kam pasur probleme, të premten pata simptoma dhe kam marrë urgjencën në telefon. E telefonova të premten kur ishte rasti i kësaj vajzës nga Lushnja që kishte ardhur nga Italia sepse kisha dyshime se kisha ardhur në një avion me të.”, thotë ai.Kam marrë urgjencën dhe 112 për të kërkuar të më bëhej tamponi. Nuk ma bënë sepse nuk kisha shenja. Ditën e diel dhe të shtunë mu rrit temperatura me 38-39 gradë. Po ditën e dielë e mora 127 në telefon po nuk më merrnin. Shkoj te spitali “Amerikan” dhe më nisi këtu te infektivi tha nuk je për ne je për tek infektivi. Që prej atij momenti më kanë shtruar me një pavion me këto që janë të konfirmuar. Dhe as analiza as një gjë, analizat mi kanë marrë pas 14 orësh. Dhe nga dje që kam bërë analizat deri sot nuk ka ardhur asnjë doktor dhe asnjë lloj përgjigje”, deklaroi ai.
I riu u shpreh se dyshon se është infektuar nga një e afërme e tij në Itali, ose në aeroplan. Megjithatë ai u shpreh se beson ende se nuk është i infektuar nga koroanvirusi.
“Unë fillim dyshoja në aeroport, por tani më thotë një familjara ime në Itali se dyshon se dhe ajo ka koronavirus. Dhe sot ajo do bëj tampon. Nëse nuk e kam marrë tek ajo do të thotë e kam marrë në avion. Unë kam qenë vetëm, dhe në avion jam ulur vetëm. Jam munduar të ruhem, unë vet jam i bindur që nuk kam koronavirus. Edhe nëse mund ta kem jam munduar ti evitoj të gjithë kontaktet të paktën kur kam pasur simptoma të dielën kam evituar takimet. Nga e hëna në të premten kam pasur kontakte. Unë s`besoj t`ia kem shpërndarë njerëzve, vetëm familjarët e mi janë më të rrezikuar. Këto po bëjnë propagandë të pisët. Kam çuar video nuk e kam problem të identifikohem. Vetëm me inicialet sepse nuk dua të bëhen merak njerëzit. Unë shpresoj të më vijnë sa më shpejtë të më japin konfirmimin dhe nëse jam pozitiv të shkojnë dhe të marrin familjarët e mi”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



