Futboll

30 vjet nga Milan-Real 5-0 dhe futbolli sot, rrëfehet Arrigo Saki

Kanë kaluar 30 vjet, por kujtimet janë ende të freskëta. Janë të freskëta, sepse ajo skuadër e madhe kishte stilin e saj të veçantë. Ajo skuadër është Milani dhe ky përvjetor i përket ndeshjes së famshme me Realin e Madridit, që përfundoi 5-0. Ishte ndeshja e kthimit gjysmëfinale e Kupës së Kampionëve (Championsit të asaj kohe), që Milani e ftoi, pasi mundi Steauan e Bukureshtit në finalen e Barcelonës. Kujtimet e saj ndeshjeje të paharrueshme i sjell trajneri Arrigo Saki, njeriu që ndryshoi mënyrën e të menduarit të futbollit në Itali. "Ajo skuadër, - tregon Saki – është konsideruar si më e forta e të gjitha kohërave. Mendoni pak: “Equipe” shkruante në atë kohë se pas Milan-Real futbolli nuk do të mund të jetë më i njëjti. E kuptoni çfarë do të thotë kjo fjali?” Më 19 prill 1989 shënuan Ançeloti, Rajkard, Gulit, Van Basten dhe Donadoni. Ja intervista e plotë e trajnerit të madh italian për Milanin e saj kohe dhe futbollin e sotëm:

Arrigo Saki, ish-trajneri i famshëm i Milanit

Duke iu referuar filozofisë se futbollistët e mëdhenj janë në shërbim të skuadrës, Juve-Ajaks, a na ka kthyer shumë kohë pas në këtë sens?
Patjetër. Juventusi ka Ronaldon, i cili është më i madhi nga të gjithë, por nuk mjaftoi. Loja e futbollit është ajo që në muzikë e quajnë partiturë. Bertolt Breht thoshte se pa partiturat gjithçka mbetet vetëm improvizim. Unë kam qenë me fat, sepse bëja pjesë te një klub që e mendonte futbollin si unë, që kishte vizion për një kohë të gjatë dhe me ambicie të shëndosha. Për ne, një fitore e pamerituar, nuk ishte një fitore. Ishim një skuadër me kurajë në një ambient të frikësuar. Një ambient që kishte fituar edhe para nesh, por jo si protagonist.
Megjithatë, ju keni pasur lojtarë të mëdhenj. Galiani ka thënë se fundit se me rregullat aktuale të “Fair-play”-it financiar ai Milan nuk do të kishte ekzistuar…
Nuk jam dakord. Milani do të fitonte gjithsesi në Europë dhe me të ardhurat e Kupës së Kampionëve do të vazhdonte ta bënte një gjë të tillë. Po ju them se Napoli kushtonte më shumë se Milani, sa u takon pagave të futbollistëve.

Dy kapitenët dhe arbitrat para ndeshjes Milan-Real, 5-0

Kthehemi te Championsi, ku tani po kritikohet edhe Guardiola. Dikush ka thënë: "Është vetëm një trajner i mirë”. Ju si mendoni?
Mendoj se Pep është një nga trajnerët në gjendje të ndryshojë kampionatet ku punon. Një trajner që e bën futbollin të evoluojë.
Po ten Hag, ju pëlqen?
Më pëlqejnë të gjithë ata që fitojnë me meritë dhe kurajë. Atë mbrëmje dëgjova disa kolegë të tij dhe disa ish-lojtarët e mi që flisnin për eliminimin e Juventusit. Askush nuk evidentoi faktin se me sa lojtarë Ajaksi merr pjesë në lojë. Po e shpjegoj: Juventusi e mbulonte gjithmonë Tadiçin me Bonuçin dhe Ruganin. Gjithmonë, edhe kur topin e kishte vetë. Blind shkëputej nga mbrojtja dhe avanconte për të marrë pjesë në aksion. Sa më shumë lojtarë marrin pjesë në aksion, aq më shumë mundësi ke për ta mbajtur topin. Për fat të keq, futbolli ynë është pesimist dhe kjo gjë na limiton. Vlerat të identifikojnë.

Rajkard shënon në ndeshjen Milan-Real, 5-0

Guardiola, Sarri, Konte dhe Alegri, cilit do të zgjidhnit?
Preferoj të gjithë ata që bëjnë lojë, ata që kërkojnë kualitet në skuadër. Sarri vitet e fundit ka qenë i vetmi që e ka bezdisur Juventusin, por edhe ai iku jashtë Italisë. Një herë, drejtori i “Pais” më ka thënë: “Jeni një vend antik dhe ju pëlqen antikiteti. Si ia dole të fitoje në atë kohë?” Të njëjtën gjë ma ka thënë edhe Mark Hjuxh, kur isha me të duke folur për Milanin tim në një seminar trajnerësh. Ju tregova ndeshjen Bajern Mynih-Milan. Ndeshjen e parë e kishim fituar 1-0 dhe na mjaftonte barazimi për t’u kualifikuar. Për më tepër, ishim pa Ançelotin, Donadonin dhe Gulit. Në fund të pjesës së parë, statistikat thoshin se ata kishin gjuajtur 1 herë në portë, kurse ne 11. Sipas Hjuxh, Italia ishte ai vend, ku edhe nëse fusha do të ishte 120 metra, 11 futbollistët tanë do të gjendeshin në 20 metrat e fundit përpara portierit. UEFA dhe “France Football”, së fundi më kanë futur në listën e trajnerëve që kanë kontribuuar për evoluimin e futbollit. Për mua është nder shumë i madh, po të mendosh se ka ndodhur në një vend konservator nga ana futbollistike, siç është Italia.
Me Mançinin, ekipi kombëtar duket sikur ka marrë një drejtim tjetër, apo jo?
Ai e ka të bukurën në ADN, por duhet mbështetur. Në ekipin kombëtar është gjithçka shumë më e komplikuar.

Van Basten në aksion gjatë ndeshjes Milan-Real, 5-0

Kur do të shohim një skuadër italiane të dominojë në Europë, si Milani juaj që turpëronte Realin?
Nuk e kemi bërë kurrë. Interi i Herrerës, për të cilin unë bëja tifozllëk, fitonte duke shfrytëzuar episodet dhe me një mbrojtje heroike. Fitonte “alla italiana”. Juventusi aktual vazhdon të besojë më shumë te kualiteti i lojtarit se te kualiteti i skuadrës. Në 20 vitet e fundit në Champions, 18 herë kanë fituar skuadra që kanë besuar te loja. Dhe këtu besoj se ka një logjikë…
Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë