Lajme

Fatura tërmetit mësohet në janar. Deri tani kemi vetëm 20 mld lekë

Operacioni i Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore bëri një përmbledhje të plotë të situatës 2 javë pas tërmetit të 26 nëntorit. Ministri Fuqiplotë dhe drejtuesi i këtij Operacioni, Bledar Çuçi, tha se deri tani ka vetëm një faturë paraprake për dëmet në shkolla e cila ka arritur në rreth 3 miliard lek ndërsa fatura e plotë e dëmeve pritet të jetë gati në 16 janar. Sa i përket programit të rindërtimit, deri tani janë gati 20 miliard lekë. Në daljen përpara medias, Çuçi theksoi se janë strehuar në mënyrë të përkohshme 13294 qytetarë dhe se mbi 7 mijë qytetarë gjenden në çadra.
Ministri tha se aktualisht në terren po punohet për inspektimin banesave dhe për këtë janë angazhuar 100 grupe, ku puna ka përfunduar në 14069 objekte, ndërsa 44 të pabanueshme janë shembur.

Foto nga tërmeti i 26 nëntorit. Gazeta “Si”, dhjetor 2019

Sa i përket programit të rindërtimit, Çuçi thotë se deri tani në dispozicion janë 20 miliardë lekë prej të cilave, 13 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, 7 miliardë lekë nga donacionet.
Sipas Çuçit, një rëndësi i është kushtuar inspektimit të shollave në zonat e prekura nga tërmeti, ndërsa fatura paraprake e dëmeve në këto institucione përllogaritet rreth 3.05 miliard lek.
Por teksa ka një faturë paraprake për dëmet në shkolla, qeveria ende nuk ka një faturë të saktë përfundimtare për gjithë dëmet e tërmetit. “Deri më sot kemi këto gjetje nga inspektimi i shkollave: 176 objekte shkollore kanë pësuar dëme të lehta; 6 objekte kanë pësuar dëme të konsiderueshme; dhe 36 objekte kanë pësuar dëme të rënda”, theksoi Çuçi.

Vlerësimet nga inspektimet. Gazeta Si, 10 dhjetor 2019

Drejtuesi i operacionit për menaxhimin e fatkeqësive natyrore, foli edhe për bonusin e qirasë, ku sipas tij deri tani në qarkun e Durrësit dhe Tiranës kanë përfituar 1588 familje, ndërsa këshillat e baskive të qarkut Lezhë, dhe bashkitë e tjera të prekura vazhdojnë të pranojnë aplikime. Pas shembjes së ndërtesave të dëmtuara shumë rëndë nga tërmeti – do të flas më poshtë për to -, morëm masat për pastrimin e inerteve në të gjitha zonat e dëmtuara. Brenda datës 25 dhjetor, këto inerte do të depozitohen në fushën në Porto Romano, si pjesë e projektit për krijimin aty të një parku të madh urban bregdetar.

Si zgjidhje për banesat në të ardhmen, ministri bëri të ditur se ka një plan të qeverisë që konsistojnë në: Rindërtimin masiv të banesave të dëmtuara me angazhimin edhe të firmave të ndërtimit për riparimin e pallateve që ato kanë ndërtuar; Ndërtimin e lagjeve të reja në Tiranë, Durrës, Thumanë, Kurbin dhe Laç për të strehuar banorët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan plotësisht nga tërmeti; Ndërtimin e infrastrukturës shoqëruese (shkolla, kopshte, qendra shëndetësore, infrastrukturë tokësore dhe nën-tokësore) në këto lagje të reja; dhe Ndërtimin e shtëpive ekologjike (Eko-shtëpive) në zonat rurale. Qeveria i ka dorëzuar fondacioneve private mbi 200 dosje duke i hapur rrugën rindërtimit të shtëpive të dëmtuara në zonat rurale të ndara në tri blloqe: Qarku Tiranë, Krujë, Fushë-Krujë, Lac dhe Durrës-Lezhë. Ndërsa bëri të ditur se janë 20 miliardë lekë në dispozicion për programin e rindërtimit dhe se më 16 janar pritet të dalë raporti i parë për vlerësimin e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Shifrat e paraqitura
Në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti janë inspektuar14069 objekte
261pallate janë dëmtuar rëndë dhe janë të pabanueshme përkohësisht;
2237 banesa janë dëmtuar rëndë dhe janë të pabanueshme përkohësisht;
851pallate kanë pësuar dëmtime të mesme dhe të lehta
4618 banesa kanë pësuar dëmtime të mesme dhe të lehta.
Janë shembur 44 objekte, kryesisht në qarkun Durrës, të përcaktuara si me rrezikshmëri shumë të lartë

Nga inspektimi i shkollave:
176 objekte shkollore kanë pësuar dëme të lehta;
6 objekte kanë pësuar dëme të konsiderueshme; dhe
36 objekte kanë pësuar dëme të rënda.

Programi i Rindërtimit
20 miliardë lekë për zbatimin e Programit të Rindërtimit, nga të cilat:
13 miliardë lekë nga buxheti i shtetit
7 miliardë lekë nga donacionet.
5 753 donatorë dhuruan në total 58.5 milionë lekë përmes platformës qeveritare E-albania
Qeveritë e huaja, fondacionet, bizneset dhe individët dhuruan 9 milionë Euro në llogaritë bankare të vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare
23 milionë euro është totali i fondeve të dhuruara nga donatorë si BE (15 milionë euro)
Qeveri të vendeve të tjera si Turqia e cila ka marrë përsipër vendosjen në dispozicion të 500 apartamenteve.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë