A mund të shihet me sy të lirë një objekt që udhëton rreth 9 herë më shpejt se shpejtësia e zërit? Pamjet e publikuara nga “Air Force Test Center”, e vendosur në Nju Meksiko të Shteteve të Bashkuara të Amerikës thonë që jo.
Baza e forcave ajrore amerikane, “Holloman” publikoi në rrjetet sociale një video 38 sekondëshe, e cila nis me një pamje të errët, ku në sfond dëgjohet një zhurmë e çuditshme që sa vjen e bëhet edhe më e fortë, deri kur para kameras kuptohet që kalon diçka, që lë pas vetëm tym dhe shkëndija të shkaktuara nga fërkimi në shinat ku ecte.
Nëse nuk do të ishte përshkrimi sqarues i videos, asgjë nuk do të kuptohej. Aty thuhet se bëhej fjalë për testimin e një mjeti të shpejtësisë së lartë, që në momentin kur kaloi kameran po udhëtonte me shpejtësinë “Mach 8.6”, ose 8.6 herë më shpejt se shpejtësia e zërit.
Për të përkthyer në terma më të përgjithshëm, në këtë moment, objekti për të cilin ushtria amerikane nuk jep më shumë detaje po udhëtonte me 10.600 kilometra në orë, ose rreth 3 kilometra për sekondë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.