Lajme

“3.4 milionë eurot”, Prokuroria nis hetimet për Bashën

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për kryetarin e PD, Lulzim Basha për dekonspirim.

Pas padisë së kryetarit të grupit të PS, Taulant Balla, organi i akuzës ka nisur hetimet për liderin e PD për veprën penale të nxjerrjes së sekretit hetimor në rastin e operacionit të dy ‘Toyota’-ve të mbushura me 3.4 milionë euro. Në padinë e depozituar, që vuri në lëvizje prokurorinë, Balla akuzon Bashën për dekonspirim të operacionit që u finalizua ditën e diel në Durrës dhe për shpifje.

DEKONSPIRIMI/ Pasi foli Basha në Kuvend, shoferi mori urdhër: Ikni nga Bari
Deklarata e Lulzim Bashës në Parlament më 21 qershor, se një automjet “Toyota Yaris” ishte kapur në Gjermani me 1.5 milion euro brenda dhe që po planifikohej të futej në Shqipëri, ka bërë që grupi kriminal, i cili tranportonte 3.4 milionë euro, të ndryshonte drejtim. Ndryshe nga dy herët e tjera, kur ata kishin përdorur portin e Anconas në Itali, për të lundruar drejt Shqipërisë, kjo deklaratë e Bashës në seancën plenare i ka detyruar transportuesit të ndryshojnë plan. Një telefonatë e Eduart Likës, që ndodhej në Tiranë dhe që padyshim është vënë në dijeni të deklaratës së Bashës për Toyotën e ngarkuar me euro, ka bërë që shoferi i kamionit të ndryshojë kursin e lëvizjes. Lika i ka telefonuar atij, duke i thënë se duhej të shmangnin portin e Anconas, ku ishte prerë bileta e lundrimit dhe të shkonin në Bari, prej nga do të udhëtonin me një linjë lundrimi të këtij porti drejt Durrësit.

Kjo, me sa duket, ka qënë një lëvizje e grupit për t’u shpëtuar kontrolleve të repta të policisë italiane, por edhe për të hutuar policinë shqiptare, e cila tashmë kishte marrë dijeni dhe e priste automjetin bizark në kufirin tokësor. Agim Çeka tha se makinat i ka ngarkuar në Belgjikë Elvis Vladi dhe se janë nisur për në Ankona, por pronari Edi Lika i ka thënë që të shkojë në portin e Barit. Shoferi i trajlerit ka theksuar se në Durrës i priste Fredi, djali i xhaxhait të Elvis Vladit. Por Alfred dhe Elvis Vladi shumë shpejt kuptuan që as ndryshimi itinerarit nuk mjaftonte për të shpëtuar nga arrestimi. Dhe kështu, pas dekonspirimit nga salla e Kuvendit, dy personat kyç në këtë sipërmarrje kriminale transporti të 3.4 milionë eurove vendosën të largohen në arrati, duke shmangur kështu deri më tani arrestimin. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, gjykata e Durrësit ka caktuar masën e “arrestit në burg” për katër të ndaluarit dhe pritët që çështja t’u kalojë Krimeve të Rënda.

Balla nxori dje foton: Basha me vëllanë e Alfred Vladit, në kërkim për 3.4 mln euro
Lulzim Basha nga akuzues i Taulant Ballës për ngarkesën e 3.4 milionë eurove është akuzuar nga kreu grupit parlamentar socialist se ka njohje me vëllanë e Alfred Vladit, njërin prej dy personave të shpallur në kërkim. Taulant Balla publikoi dje një foto, ku kryedemokrati ka pozuar brenda ambienteve të zyrës në PD me disa persona, ku në të djathtë të tij, sipas Taulant Ballës, qëndron vëllai i Alfred Vladit.

 

Më Shumë