Sociale

27 raste të reja dhe 13 të shëruar. Shmangni vizitat familjare!

Gjatë orëve të fundit janë konfirmuar 27 raste të reja me COVID-19 në vendin tonë. Zëvendësministrja Mira Rakacolli deklaroi se numri total i rasteve të prekur është 304 dhe mosha mesatare e pacientëve është 50 vjeç, ndërkohë që 13 pacientë të tjerë janë shëruar.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Gjatë orëve të para të mëngjesit janë transportuar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, 3 paciente nga Spitali Infektiv. Aktualisht në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, i cili do të ndjekë rastet e rënda me insufiçencë respiratore COVID pozitiv, janë 4 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar). Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 77 pacientë,” tha zëvendësministrja.

Rakacolli shtoi se shpërndarja gjeogragike e rasteve pozitive vijon:

- Tiranë 146 raste

- Durrës 32 raste

 - Lushnjë 4 raste

- Elbasan 8 raste

- Fier 25 raste

- Kavajë 8 raste

- Rrogozhinë 2 raste

- Korçë 16 raste

- Vlorë 5 raste

- Shkodër 22 raste

- Lezhë 11 raste

- Berat 1 rast

- Has 8 raste

 - Krujë 5 raste

-Tropojë 4 raste

- Pukë 4 raste

- Mirditë 3 raste

Rakacolli deklaroi se Shkodra ka numrin më të lartë të të prekurve gjatë orëve të fundit, pasi personat e prekur janë në dy rrethe familjare, mes tyre dhe një fëmijë 13 vjeçar. Sipas zëvendësministres, mos respektimi i masave për distancën sociale ka bërë që rastet të shtohen me shpejtësi.

“Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike. Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19,” tha Rakacolli

Ndër të tjera zëvendësministrja ka deklaruar se mosha mesatare e fëmijëve te prekur nga COVID-19 është 8 vjeç dhe të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu shtoi se në spitalin COVID 2 janë 9 respiratorë dhe pritet të shtohen të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë