Drejtësia

I gjithë fshati Kozare në gjyq për pasurinë e një subjekti të OFL, SPAK kërkon konfiskimin

Gazeta Si - Dënimi për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni në Angli dhe Itali i Andri Shtëpenjës, ka bërë që i gjithë fshati Kozare i Kuçovës të paraqitet në GJKKO për të dëshmuar.

Plot 240 banorë të fshatit u thirrën dëshmitarë nga SPAK për t'u pyetur lidhur me kërkesën e prokurorisë për konfiskimin e pasurive në emër të Bektash Shtëpenjës, pronar i një autokombanje që korrte grurin në fshat.

SPAK kërkon konfiskimin e pasurive, 2 apartamente, një garazh, 2 makina dhe një motori "Harley", pasi thotë se pavarësisht se janë në emrin e Bektash dhe (i biri) Sokol Shtëpenjës, janë vendosur me aktivitetin e paligjshëm të djalit tjetër të tij, Andrea. 

Sipas SPAK Andrea Dinga, i cili njihej dhe me mbiemrat Shtëpenja dhe Prifti është deklaruar fajtor nga Gjykata e Apelit e Milanos për  veprat penale të “Emigracionit ilegal” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. Vendimi ishte dhënë më 2014.

Po kështu sipas informacionit të ardhur nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ky shtetas është arrestuar në Angli për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Pikërisht për këto rrethana, ky shtetas është subjekt i aktit normativ.

Gati dy vite më parë ai ishte subjekt i Operacionit Forca e Ligjit për veprimtari të paligjshme në shtetin fqinj.

Për të justifikuar pasurinë, si dëshmitarë u thirrën këtë të mërkurë 240 fermerë të fshatit të Kozares.

Fshatarët kanë dëshmuar se pagesën e Bektashit për korrjen e grurit dhe të mbjellat, ia jepnin në dorë.

Kështu, në mungesë të dokumentacionit tatimor, subjekti Andrea Dinga dhe personat e lidhur ka kërkuar në gjykatë që të ardhurat t’i provojë nëpërmjet thirrjes së dëshmitarëve, që janë titullarët e familjeve bujqësore ku ai ka punuar.

Nga ana tjetër Shtëpenja pretendon se ka 20 vite që punon në fshat, por asnjëherë nuk ka lëshuar kupon tatimor dhe veç pyetjes së bashkëfshatarëve nuk ka si ta dokumentojë ndryshe.

Pasuritë për konfiskim

• Pasuria e llojit Are, me sipërfaqe 1700 m2 ndodhur në Sauk, në pronësi të Bektash Hasan Shtëpënja;

• Pasuria e llojit apartament, me Sip. 189.4 m4, ndodhur në Sauk Tiranë, në pronësi të Bektash Hasan Shtëpënja;

• Pasuria e llojit garazh, ndodhur në Sauk Tiranë, në pronësi të shtetasit Bektash Hasan Shtëpënja;

• Pasuria e llojit apartament, ndodhur në Draç Durrës në pronësi të Bektash Hasan Shtëpënja;

• Mjeti i llojit autoveturë e markës Mercedez Benz, prodhim i vitit 2011 në pronësi të Bektash Hasan Shtëpënja;

• Mjeti i llojit autoveturë e Markës Audi, prodhim i vitit 2005, në pronësi të Sokol Bektash Shtëpënja;

• Mjeti i llojit motor i markës Harley Davidson, prodhim i vitit 2011 në pronësi të Sokol Bektash Shtëpënja;

Bektashi ka plotësuar formularin e OFL për shtëpinë dhe tokën, duke deklaruar se të ardhurat i ka nga autokombajna, të cilën e punon prej vitit 1991 si privat dhe nga 1980 ka qenë pjesë e kooperativës.

Këtë të mërkurë, Bektash Shtëpënja nuk ka shkuar në gjyq, por ka dërguar djalin, me pretendimin se po korr grurin e fshatit.

Ky i fundit ka kërkuar që të mos merret njeri me familjen e tij, sepse për gjithçka ka bërë jashtë, ka vuajtur dënimin me burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë