Kosova

24 vjet nga masakra e Reçakut, krimi kundër njerëzimit që ndryshoi historinë e Kosovës

Kosova përkujtoi 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit, Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviç.

Pas Masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi teksa bota e pa përmes televizioneve krimin e forcave serbe.

Homazhet

Në përkujtim të Masakrës së Reçakut, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori William Walker bënë homazhe në Kompleksin memorial të Reçakut paraditen e sotme.

.

Ish drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, i cili 24 vjet më parë e cilësoi ngjarjen si krim kundër njerëzimit, tha sot në një ceremoni përkujtimore se autoritetet serbe asokohe kishin nisur menjëherë përpjekjet për të mohuar atë që kishte ndodhur.

Ata nisën të bëjnë gjëra që menduan se ishin shumë të zgjuara, për t’u siguruar se bota ose nuk do të mësonte për Reçakun ose do të pranonte variantin e tyre të rrëfimit. Falë Zotit kjo nuk ndodhi, shtypi botëror erdhi këtu dhe vendosi në ballinat e gazetave botërore pamjet e asaj çfarë po ndodhte vërtetë në Kosovë. Falë Zotit dhe njerëzve si Bill Clinton, Madeleine Albright, Toni Blair, Wesley Clark, NATO u vendos se duhej të ndërmerrej diçka dhe kjo solli fushatën e NATO-s”, tha ai.

Masakra e Reçakut në vitin 1999, shënoi fillimin e një procesi diplomatik për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, e cila u përmbyll më ndërhyrjen e NATO-s.

Autoritetet serbe përfshirë edhe presidentin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë luftës në Kosovë, kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb Slobodan Millosheviç, shpesh e kanë theksuar se masakra e Reçakut është fabrikuar për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia po vazhdon përpjekjet për të mohuar rolin e saj në këtë masakër.

Përgjithësisht kur e vërteta është kaq e fuqishme si ajo e masakrës së Reçakut, shfaqen edhe narrativat mohuese ndaj saj, sikur që ka bërë Serbia që nga dita e masakrës së Reçakut e deri sot, duke u munduar ta turbullojë dhe falsifikojë rolin e drejtpërdrejtë planifikues dhe ekzekutues të shtetit serb në realizimin e masakrës së Reçakut. Ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij”, tha kryeministri Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke vënë theksin te shtimi i përpjekjeve për vënien e drejtësisë në vend mbi masakrën e Reçakut tha se mungesa e bashkëpunimit të Serbisë për ndriçimin e fatit të të pagjeturve dëshmon se ajo asnjëherë nuk ka ndryshuar mendësi.

Ata trokasin çdo ditë në ndërgjegjen e secilit prej nesh duke kërkuar që të bëjmë më shumë për drejtësi për ta por edhe për gjetjen e mbi një mijë e 600 të dashurve tanë të zhdukur me dhunë, të cilët Serbia e ministrit të atëhershëm të informimit e presidentit të sotshëm, i mban ende peng”, tha ajo.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 24 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave. Këtë vit Kosova mbush pesëmbëdhjetë vjet të shpalljes së pavarësisë së saj, që vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila vazhdon të mohojë atë çfarë kishte ndodhur në Reçak dhe gjithandej Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë