Ekonomi

23,4 % e shqiptarëve janë në varfëri

Vetëm 10 mijë shqiptarë kanë arritur të kalojnë kufirin e varfërisë në vitin 2018.
671 mijë të tjerë jetojnë me 13 mijë lekë në muaj.

INSTAT ka publikuar për herë të parë rezultatet e Anketës së të Ardhurave të Nivelit të Jetesës (AANJ) e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material në familjet shqiptare.

Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri në vitin 2018 është 23,4 %. Në vitin 2017, ky tregues ishte 23,7 %, duke pësuar një rënie me 0,3 pikë përqindje.

Në vitin 2018, janë vlerësuar rreth 671.000 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt rreth 681.000 të vlerësuar në vitin 2017.

Kjo sipas INSTAT tregon se niveli i përgjithshëm i të ardhurave familjare të disponueshme është rritur dhe përqindja e individëve në rrezik për të qenë të varfër është ulur me rreth 1,5 %.

Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2018 është vlerësuar 160.742 Lekë në vit ose 13 mijë lekë në muaj krahasuar me 145.017 lekë që ishte në vitin 2017.
Shkalla e thelluar e privimit material tregon përqindjen e individëve që jetojnë në familje të cilët nuk përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit material.
Ky tregues është vlerësuar 38,3 % në vitin 2018 kundrejt 41,1 % vlerësuar në vitin 2017, duke shënuar një rënie prej 2,8 pikë përqindje.

Intensiteti në punësim i familjes i referohet numrit të muajve që të gjithë individët e familjes kanë punuar kundrejt numrit gjithsej të muajve që teorikisht duhet të punojnë gjatë vitit (12 muaj). Familjet të cilat konsiderohen me intensitet shumë të ulët në punësim përcaktohen në kufirin 20 %. Individët e grupmoshës 18-59 vjeç të cilët jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim në vitin 2018 sipas vlerësimeve përbëjnë 13,3 % kundrejt 14,4 % të rezultuar në vitin 2017, duke pasqyruar një rënie prej 1,1 pikë përqindje.

Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër ose thellësisht të privuar materialisht ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim.

Në vitin 2018 ky tregues është vlerësuar 49,0 % kundrejt 51,8 % vlerësuar në vitin 2017.
Përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshirë në të ardhurat familjare të disponueshme, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër. Nëse në nivelin e të ardhurave nuk do të përfshiheshin të gjitha llojet e përfitimeve sociale, rreziku për të qenë i varfër në vitin 2018 është vlerësuar 39,0 % kundrejt 26,3 % që është vlerësuar nëse do të përfshiheshin në nivelin e të ardhurave përfitimet sociale vetëm nga pensionet e pleqërisë dhe ato familjare.

Rreziku për të qenë i varfër sipas grupmoshave dhe gjinisë është analizuar për tre grupmosha. Trendi në rënie vihet re në grupmoshën 18-64 vjeç ku rreziku për të qenë i varfër në vitin 2018 në krahasim me vitin 2017, është ulur me 0,5 pikë përqindje.
Grupmosha 0–17 vjeç nuk ka pësuar ndryshime, ndërsa grupmosha mbi 65 vjeç ka pësuar rritje me 0,6 pikë përqindje.

Rreziku për të qenë i varfër sipas statusit të punësimit, për të punësuarit e moshës 18 vjeç e lart, në vitin 2018 është vlerësuar me rënie me 1,4 pikë përqindje krahasuar me vitin 2017.

Rreziku për të qenë i varfër tek individët e papunë ka pësuar një rënie prej 1,7 pikë përqindje.

Shkalla e varfërisë sips tipit të familjes, në vitin 2018, në familjet pa fëmijë në varësi, vlerësohet të jetë më e ulët krahasuar me familjet me fëmijë në varësi.

Krahasimi i rrezikut për të qenë i varfër për vitin 2018 ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Rajonit dhe të Bashkimit Europian tregojnë se: Vlera më e lartë e varfërisë relative shënohet në Serbi (24,3 %), Rumani (23,5 %) ndjekur nga Shqipëria (23,4 %). Vlerat më të ulëta të varfërisë regjistrohen në Republikën Çeke (9,6 %), Finlandë (12,0 %), Danimarkë (12,7 %), Hungari (12,8 %) dhe Norvegji (12,9 %). Mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian (28 shtete) është 16,9 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë