Kombetarja

2020-a kuqezi/ Vend i parë në Ligën e Kombeve, Reja promovon të rinjtë

Viti që sapo lamë pas ishte mjaft i vështirë edhe për Kombëtaren e Shqipërisë, por i mbyllur në mënyrën më të mirë: vend i parë në Ligën C të Ligës së Kombeve dhe rrjedhimisht ngjitje në Ligën B. Përveç kësaj, trajneri Edi Reja ia ka dalë të ingranojë me fanellën kuqezi edhe shumë futbollistë të rinj.

Pas fitoreve të nëntorit me Bjellorusinë dhe Kazakistanin në “Air Albania”, kuqezinjtë siguruan vendin e parë në grup, ku grumbulluan 11 pikë. Kombëtarja e nisi mirë, duke fituar 0-2 në Bjellorusi, por më pas u mund në Tiranë nga Lituania 0-1, çka e komplikoi objektivin. Më pas kuqezinjtë barazuan pa gola në transfertë me Kazakistanin dhe Lituaninë, për të mbyllur me 2 fitoret me nga 3 gola të shënuar ndaj kazakëve dhe bjellorusëve. Cikalleshi dhe Manaj kanë udhëhequr sulmin kuqezi, duke formuar një dyshe solide.

Kombëtarja, duke festuar një gol. Gazeta Si, 1 janar 2021

E veçanta është se gjatë vitit që shkoi trajneri Reja kishte një objektiv të dyfishtë. Përveç kreut të grupit, ai duhej të freskonte grupin e futbollistëve me elementë të rinj. Italiani, i ndikuar edhe nga mungesat e shpeshta për shkak të problemeve të krijuara nga Covid-19, ka aktivizuar jo pak lojtarë të rinj premtues. Ai u ka dhënë shansin e debutimit me Kombëtaren lojtarëve si Armando Broja, Sherif Kallaku, Taulant Seferi, Qazim Laçi, Ramen Çepele e ndonjë tjetri. Janë të gjithë emra që i shërbejnë të ardhmes kuqezi.

Në shortin e eleminatoreve të Botërorit të Katarit, Shqipëria nuk pati shumë fat. Kuqezinjtë janë pjesë e Grupit I, bashkë me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon. Kualifikueset nisin në transfertë me Andorrën, më 25 mars, kurse 3 ditë më pas në Tiranë vjen Anglia, favorite absolute për kreun e grupit. Objektivi është që Kombëtarja të zërë vendin e tretë.

Legjionarët
Gjatë 2020-ës ka pasur edhe disa lëvizje interesante të futbollistëve të Kombëtares, të cilët kanë ndërruar skuadër. Transferimi më i bujshëm është ai i Marash kumbullës nga Verona te Roma. Lojtari i kërkuar edhe nga Juventusi, Interi dhe Lacio, por edhe klube angleze e gjermane, i ka kushtuar rreth 30 milionë euro Romës. Mbrojtësi ka nënshkruar për 5 vjet dhe përfiton 7.5 milionë euro.

Kumbulla gjatë prezantimit me fanellën e Romës. Gazeta Si, 1 janar 2021

Nga lojtarët e tjerë të Kombëtares vlen të përmendet kalimi i Myrto Uzunit nga Lokomotiva e Zagrebit te Ferencvaroshi. Sulmuesi beratas është bërë menjëherë protagonist në Hungari, madje ka arritur t’i shënojë edhe Juventusit në Ligën e Kampionëve. Keidi Bare ka qëndruar në Spanjë, duke kaluar nga Malaga tek Espanjoli, Klaus Gjasula ka veshur fanellën e Hamburgut, Kastriot Dermaku ka lënë Parmën për të kaluar te Leçe, kurse Armando Sadiku tashmë luan në Turqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë