Futboll

2019-a nis me Kupën e Shqipërisë, në fushë Partizani dhe Skënderbeu

Aktivitetet zyrtare të vitit 2019 nisin sot me ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, që luan fazën e 1/8-ve. Në fushë do të zbresin të parët Partizani dhe Skënderbeu, që luajnë përkatësisht në fushën e Kastriotit dhe Besëlidhjes. Në këtë fazë të këtij kompeticioni luhet me eliminim direkt dhe dy skuadrat e mëdha të Superiores synojnë të hedhin një hap drejt kualifikimit që në ndeshjet e para. Partizani dhe Skënderbeu luajnë një ditë para të tjerëve në kupë, sepse të premten do të luajnë mes tyre ndeshjen e parë të fazës së tretë të kampionatit në Korçë. Tifozët e dy skuadrave mezi presin të shohin në fushë blerjet e reja.

Kupa e Shqipërisë shihet si një mundësi e mirë për shumë skuadra, që kanë humbur terren në kampionat dhe mund të shkojnë në kupat e Europës me rrugën më të shkurtër. Është për të ardhur keq që Tirana dhe Flamurtari, dy skuadra të mëdha, do të përplasen mes tyre që në këtë tur dhe vetëm njëra prej tyre do të vazhdojë më tej. Tirana mund të shkojë në Europë vetëm me anë të Kupës së Shqipërisë, pasi në kampionat është shumë poshtë në klasifikim dhe e ka thuajse të pamundur.

Partizani në përgatitjet e fundit për ndeshjen me Kastriotin

Përveç skuadrave të Superiores, në këtë fazë të kupës marrin pjesë edhe disa skuadra të Kategorisë së parë, si Vllaznia, Apolonia, Lushnja, Besëlidhja dhe Bylis, që kanë historinë e tyre në futbollin tonë, por edhe Egnatia e Rrogozhinës, që është surprizë. Dhe ka ndodhur shpesh që ndonjë prej tyre të eliminojë kundërshtarë nga Superiorja. Vllaznia, për shembull, ka shanse reale për t’u kualifikuar ndaj Kamzës.

Kupa e Shqipërisë, faza 1/8
Sot
Besëlidhja – Skënderbeu
Kastrioti – Partizani
Nesër
Apolonia - Kukësi
Bylis - Laçi
Egnatia - Luftëtari
Lushnja - Teuta
Vllaznia - Kamza
Tirana - Flamurtari


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë