Sociale

2 raste të reja, numri më i ulët nga fillimi i epidemisë

Gjatë 24 orëve të fundi janë raportuar 2 raste të reja me Covid-19 në vendin tonë, duke cuar në total 948 numrin e të prekurve. Eugena Tomini nga ISHP, ka bërë me dije se sot është numri më i ulët ditor i të prekurve që nga fillimi i epidemisë.

“Rastet e reja janë kontakte të personave që tashmë rezultojnë pozitivë, ndërkohë që po vazhdon hetimi epidemiologjik aktiv në terren.

Marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienes personale dhe respiratore patën peshën kryesore ne shfaqjen e një kurbe epidemike të butë në vend. Deri më sot janë kryer mbi 12,500 testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 948 qytetarë. Prej tyre, rreth 77% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 190 persona aktivë, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër,” shprehet Tomini.

Më tej ekspertja e ISHP, bëri me dije se gjendja në spitale është e qëndrueshme me 15 pacientë të shtruar dhe 3 prej tyre janë në terapi intensive.

Tomini deklaroi se duke u lehtësuar masat  dhe zgjerimi i fashës orare, ekspozimi ndaj infeksionit mund të rritet më shumë dhe është përgjegjësi e individëve të kujdesen për veten dhe të tjerët.

Më tej ekspertja bëri thirrje për qytetarët që të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19 dhe të telefonojnë numrin 127, ndërsa për informacion apo këshillim psikologjik të telefonojnë numrin 0800 40 40.

 Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive vijon:

Tiranë           69 raste

Krujë            44 raste

Durrës           31 raste

Shkodër        15 raste

Kamëz          12 raste

Berat              10 raste

Fier                 4 raste

Elbasan           2   raste

Kurbin            1 rast

Mirditë           1 raste

Korçë             1 rast


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë