Kosova

2 mln euro zhduken nga Thesari i Kosovës!

Kosova është përballur me një skandal të përmasave të mëdha, pas zhdukjes së një shumë të majme nga thesari i shtetit.

Ministrja e Financave të Kosovës, Hykmete Bajrami ka dhënë detaje në një konferencë urgjente për mediat për “avullimin” e 2 milion eurove nga thesari i shtetit. Bajrami ka deklaruar se janë bërë 4 transaksione të jashtëligjshme nga Thesari i Republikës së Kosovës dhe se mbi 2 milionë euro janë dërguar në llogarinë e një operatori ekonomik.

“Sot kemi lajme të këqia. Bëhet fjalë për 4 trasnsaksione të dyshimta, që kanë ndodhur nga llogaria e thesarit që është në kuadër të MF-së. 2 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekononik”, ka thënë Bajrami në konferencë për media. “Me të kuptuar kemi raportuar rastin, dhe krimet ekonomike po merren me hetim”.

Në konferencën e mbajtur për media, ajo tha se është arrestuar një zyrtar i Thesarit të Shtetit, dhe eprori. “Deri më tani janë pushuar 2 zyrtarë, njëri nga ta është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ne tani më kemi gjurmuar, ky është transaksion bankar”, ka theksuar Bajrami,.

Punonjësi me inicialet L.G, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2.1 milionë eurove përmes katër në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.

Policia ka njoftuar zyrtarisht se të martën në mbrëmje, pas hetimeve të zhvilluara, është arritur të arrestohet një i dyshuar, ndërsa dy të tjerë gjenden në arrati.

Policia ka konfirmuar bllokimin e llogarive, por dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është arrestuar. Transferimi i parë ka ndodhur më 9 tetor 2020.

Në bazë të regjistrit të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, rezulton se kompania LDA Group shpk, ishte regjistruar si biznes në gusht të 2019-tës. Pronarë të këtij biznesi figurojnë K.Sh dhe V.Sh, të dy në arrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë