Politike

17 deputetë bojkotojnë Këshillin Kombëtar të martën, Bardhi: Po bëhet proces fiktiv për kryetarin

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se 17 deputetë nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar i planifikuar për të martën e 20 qershorit.

“Vendimi për mbledhjen bie ndesh me statutin e PD-së. Vendimi i kryesisë i heq kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm duke ua kaluar zyrtarëve që nuk kanë asnjë përgjegjësi për organizimin e partisë.

Sipas rregullores së Këshillit, njoftimi për mbledhjen e Këshillit Kombëtar është kompetencë e sekretarit të përgjithshëm.  Pas konsultimit me kolegët e grupit parlamentar, 17 anëtarë të grupit vendosën mospjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme të Këshillit Kombëtar”, tha Bardhi.

Bardhi u shpreh se ndarja nuk është në interesin më të mirë të demokratëve dhe se ajo i shërben vetëm kryeministrit Edi Rama dhe ‘regjimit të tij’.

Ai shtoi më tej se nuk mund të ketë kompromis për shpërbërjen e Partisë Demokratike.

“Rruga që kemi nisur nuk mund t’i ngjajë proceseve fiktive që e kanë dëmtuar PD-në në të shkuarën. Kjo është një histori e shëmtuar dhe anti-statutore që nuk duhet të përsëritet më në Partinë Demokratike.

Në këtë moment PD ka nevojë për maturi, jo konflikt, reflektim e jo urrejtje. Ka nevojë për mendimin ndryshe dhe jo përjashtime të reja. Kujt i shërben një tjetër konflikt në PD? Përse sajohen provokime dhe devijime nga statuti që na ndajnë, kur sot duhet të jemi bashkë. Kujt i intereson kjo ndarje? Di të them me siguri se është e qartë se ky nuk është interesi më i mirë i demokratëve dhe Shqipërisë. Një PD që humbet në debatet e brendshme i intereson vetëm Edi Ramës dhe regjimit të tij.

Ky qëndrim nuk më shërben mua. Do ishte e lehtë të bënim rolin sa për të marrë një post, por ju siguroj se as nuk kemi dhe as nuk do bëjmë kompromis për shpërbërjen e PD-së. Nuk ka kompromis për këtë. Beteja e kolegëve të mi ka vetëm një qëllim, të qëndrojmë përballë pushtetit dhe të kthehemi në alternativë qeverisëse”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë