Sociale

Shkon në 22 numri i të vdekurve. 16 raste të reja pozitive. 30% e të prekurve u shëruan

Një pacient 90-vjeçar ka humbur jetën nga Covid-19 në Spitalin Infektiv, si pasojë e tromboembolisë pulmonare. 90-vjeçari ishte i prekur edhe nga Covid-19 dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese (tromboemboli pulmonare, diabet mellitus, hipertension). Pacienti ndodhej i shtruar prej 5 ditësh në Spitalin Infektiv në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas mjekëve që e kanë trajtuar gjatë gjithë kësaj kohe, shkaku i vdekjes së 90-vjeçarit është tronboembolia pulmonare.

Më herët Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19 në vendin tonë dhe 12 të shëruar.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli bëri me dije se nga numri i të prekurve në total që është 377, rreth 30% e tyre janë të shëruar. Rakacolli theksoi se gjatë këtyre orëve janë testuar edhe 11 persona pjesë e stafit mjekësor, të cilët kanë rezultuar negativ.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 73 pacientë,” u shpreh Rakacolli

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive vijon:

 - Tiranë 177 raste

- Durrës 38 raste

- Lushnjë 5 raste

- Elbasan 10 raste

- Fier 26 raste

- Kavajë 8 raste

- Rrogozhinë 4 raste

- Korçë 16 raste

- Vlorë 5 raste

- Shkodër 44 raste

- Lezhë 14 raste

- Berat 2 rast

- Has 12 raste

- Krujë 5 raste

-Tropojë 4 raste

- Pukë 4 raste

- Mirditë 3 raste.

Rakacolli tregoi se ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të të prekurve në Shkodër, Tiranë dhe Has, gjë e cila tregon se masat e distancimit social nuk janë respektuar.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Siç e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19,” deklaroi Rakacolli, ndërkohë që bëri thirrje për qytetarët të kontaktojnë numrin 127 nëse kanë shenja të sëmundjes ose 0800 40 40 nëse kërkojnë informacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë